Shqipëria

‘Reformimi i SHÇBA-së në Agjenci të Mbikëqyrjes Policore’, Çuçi shpjegon ligjin


Një agjenci inteligjente, sipas modelit të agjencive homologe në vendet e Bashkimit Evropian, do të jetë SHÇBA-ja pas reformimit.

Ka qenë ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili nga foltorja e Kuvendit ka folur mbi ligjin e ri, që e shndërron Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat – në Agjenci të Mbikëqyrjes Policore.

Sipas tij, nisma është pjesë e një pakete tërësore për reformimin e strukturave të sigurisë për t’i sjellë ato në standardet më të mira evropiane.

“Ligji që kemi aktualisht për SHÇBA-në, apo Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, realisht nuk është një ligj shumë i vjetër. Por dinamika e zhvillimeve në këto vitet e fundit kanë bërë të detyrueshëm draftimin e këtij ligji të ri, që të përmbushë nevojat e krijuara”, ka thënë ai.

Ndryshimi lidhet me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë në fushën e rendit dhe sigurisë dhe me rëndësinë për t’u përputhur me standardet e European Partnership Against Corruption, ose EPAC-ut.

Synimet kryesore të kësaj nisme ligjore

Tashmë, reformimi i Shërbimit do të quhet “Agjenci”, si një agjenci inteligjente për të luftuar korrupsionin, si dhe për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme në radhët e subjekteve të saj, ka sqaruar Çuçi.

Këtë, duke e përafruar me agjencitë homologe të vendeve anëtare të BE-së.

Gjithashtu ai ka treguar se transformimi do të shkojë drejt një modeli më demokratik e institucional, si pjesë e komunitetit të agjencive ligjzbatuese e inteligjente në vend, sipas standardeve të EPAC-ut.

Kjo, shoqëruar edhe me rritjen e kapaciteteve të “Agjencisë” për një qasje pro-aktive ndaj fenomeneve korruptive të subjekteve të shërbimit.

Së fundi, parandalimi, zbulimi, dokumentimi dhe hetimi paraprak i veprimtarisë kriminale e korruptive, në subjektet e shërbimit.

Risitë kryesore të projektligjit

Risia kryesore është kalimi i strukturës në një strukturë civile.

Pra, “zhveshja nga gradat dhe krijimi i një strukture civile, me një zhvillim të qartë karriere dhe duke shmangur konfliktin e interesit me subjektet që mbikëqyr”.

Nga ana tjetër, projektligji përcakton detyrimet që rrjedhin nga aktet e tjera ligjore, ka shtuar ministri, si ai për “Vlerësimin kalimtar dhe periodik të subjekteve mbikëqyrëse”.

Në ligjin 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës dhe SHÇBA, kjo strukturë ka marrë funksione të reja, të cilat duhet të pasqyrohen detyrimisht në ligjin organik, që rregullon këtë agjenci.

Tjetër është edhe veprimtaria verifikuese për pajisjen me Certifikata të Sigurimit të Personelit (CSP) të subjekteve.

Ky detyrim ka lindur pas miratimit të VKM-së përkatëse “Për miratimin e rregullave të sigurimit të personelit”, ka dalluar ministri.

Ky i fundit i jep të drejtën shërbimit si autoritet verifikues, për pajisjen me certifikatë sigurie të subjekteve, që për shkak të detyrës duhet të njihen me informacionin e klasifikuar.

Aktualisht, veprimtaria e pajisjes me CSP ndiqet edhe nga Policia e Shtetit dhe nga SHÇBA-ja (Agjencia).

Në të parën bëhet aplikimi dhe në të dytën bëhet verifikimi dhe përcjellja nga SHÇBA-ja drejt organit kompetent.

Një risi tjetër lidhet me procesin e ekzaminimit poligrafik.

Sipas Çuçit, ekzaminimi poligrafik ka lindur si detyrim, nga ligji Nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Edhe hetimi disiplinor është një tjetër risi.

“Një risi e projektligjit është hetimi disiplinor nga Agjencia që do të bëjë ndaj subjekteve që mbikëqyr për të gjitha shkeljet e rënda, të cilat konstatohen nga vetë Agjencia gjatë veprimtarisë së saj mbikëqyrëse, si dhe detyrimin që do të kenë subjektet e agjencisë për të zbatuar konkluzionet e hetimit disiplinor”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore