Sport

Refik Halili ngre padi kundër shitjes së aksioneve të tij në ankand


Refik Halili

Presidenti i Klubit të Futbollit Tirana, Refik Halili mësohet se ka ngritur padi në gjykatë për të pezulluar ekzekutimin e çështjes që ka fituar familja Treza (Preza).

Halili është aksionari më i madh te klubi i Tiranës me 66 për qind të aksioneve. Pjesa tjetër prej 34 për qind i takon Bashkisë së Tiranës.

Një zyrë përmbarimi nxorri në shitje pak ditë më parë 66 për qind të aksioneve që Halili zotëronte për rreth 1.6 milionë euro për shkak të borxheve që ai iu ka palëve të treta. Megjithatë, shitja e tyre dështoi, së paku për momentin.

Tani, Halili kundërshton veprimet e përmbaruesit mbi shitjen e aksioneve të klubit në ankand. Dhe, ai gjithashtu së paku pretendon një rivlerësim të shifrës.

Edhe pse Halili ka ngritur padi për këtë çështje, ankandi nuk mund të pengohet në rrugën e tij, pasi vetëm gjykata mund të vendos për pezullimin e tij.

Sipas gazetës sportive “Panorama Sport”, pritet të ketë një tjetër ankand për aksionet e Tiranës, pasi i pari dështoi. Por, këtë herë shifra minimale do të jetë rreth 30 për qind më e ulët se ajo fillestare.

Çështja e në fjalë vjen si pasojë e borxheve që Presidenti Halili ka ndaj shtetasit Abedin Treza, i njohur edhe si Abedin Preza. Shuma e borxhit është në shifrën e 1.5 milionë eurove, plus 25 milionë lekë. Këtu shtohet edhe interesi i çdo dite vonesë.

Gjithashtu, Tirana vitet e fundit ka humbur edhe disa gjyqe me ish-futbollistët për shkak të pagave të papaguara. Kjo ka sjellë edhe bllokimin e merkatos nga FIFA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore