Shqipëria

Reagon Tavo pas incidentit: Interesat e vogla kanë marrë peng komunitetin himariot


Prefekti i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo – pas incidentit në Bashkinë Himarë – ka thënë në një prononcim për median se “interesat e vogla kanë marrë peng interesat e komunitetit himariot”

“Kjo është një stuhi në gotë dhe si e tillë do të marrë fund shpejt”, ka shtuar ai.

Ai sakaq është ndalur edhe te hipotekimi i pronave në Himarë

“Në lidhje me hipotekimin e pronave të tyre, unë si prefekt, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe pushtetin vendor, do të fillojmë nga e marta të gjithë procesin e pajisjes së kësaj bashkie me dokumentin hipotekor”, ka thënë Tavo.

Po ashtu ai ka vijuar duke thënë se “si prefekt do zbatoj ligjin…jam këtu për të pritur çdo qytetar për shqetësimin e tij dhe për të zgjidhur shqetësimet e pronave brenda çdo kompetence që ma jep ligji”.

“Unë di të interpretoj ligjin dhe ligji thotë se çfarë ndodh në kushtet e krijuara. Himara nuk mund të lihet pa u qeverisur dhe në këto kushte zbatojmë ligjin. Ligji e ka të qartë se çfarë ndodh në këto situata. Këtu nuk flitet me emocione politike por i referohemi ligjit”.

Ndër të tjera, Tavo ka folur edhe për sezonin turistik.

“Jemi në prag të fillimit të sezonit turistik, dhe të fillojmë në bashkëpunim me pushtetin vendor punën. Motivimi im është bashkimi bashkëpunim dhe punë”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore