Lajme

Reagimi i Vetëvendosjes: I papranueshëm dënimi i Salih Mustafës


Lëvizja Vetëvendosje

Partia më madhe në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka reaguar pas dënimit të Salih Mustafës nga Gjykata Speciale me seli në Hagë të Holandës, të premten e 16 dhjetorit.

Përmes një postimi në Facebook, partia e cila udhëheq me Qeverinë e Kosovës, ka konsideruar se dënimi i ish-komandatit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 26 vite burg është i papranueshëm, duke shpresuar që në shkallën e Apelit, Mustafa të pastrohet nga akuzat, të cilat, sipas LVV-së nuk kanë dëshmi e prova për përgjegjësitë e tij direkte.

“Salih Mustafa ka qenë luftëtar i lirisë. Ai bashkë me shokë e shoqe në UÇK u angazhuan për të mbrojtur kombin shqiptar të cilin Serbia dëshironte ta zhdukte prej Kosovës, gjatë viteve të pushtimit”.

Prandaj, thonë ata, “na dhemb dhe e shohim si të papranueshëm dënimin që po i bëhet shqiptarëve si Salih Mustafa”.

Pas dënimit të Mustafës, kjo parti ka kujtuar se ishte i vetmi subjekt politik që nuk e kishte votuar themelimin e Gjykatës Speciale, duke i qëndruar pas këtij pozicioni edhe tani.

“Ne besojmë se Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje speciale e eksperimente, por për institucione normale si të çdo vendi tjetër. Edhe drejtësia jonë duhet të rrjedhë nga funksionalizimi i gjykatave normale e jo duke themeluar gjyqe speciale”.

Gjithashtu, LVV-ja ka kritikuar edhe drejtësinë ndërkombëtare duke u nisur nga fakti se pas gjenocidit serb në Kosovë “vetëm 26 serbë janë dënuar për krime lufte. (Slobodan) Millosheviç’it nuk iu shqiptua dënim nga drejtësia ndërkombëtare”.

Dënimin e Mustafës, partia më popullore aktualisht, e ka ndërlidhur edhe me “krizën e barrikadave” në pjesën veriore të Kosovës dhe me politikat de-stabilizuese të Serbisë.

Salih Mustafa

“Sot Serbia është e angazhuar në destabilizimin e Kosovës, duke sponsorizuar kriminelë që ngrenë barrikada e që lënë të vdesin nga mungesa e mjekimit vetë qytetarët serbë të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë çdo ditë me luftë duke përmendur kthimin e trupave ushtarake në Kosovë ndërkohë që provon ta destabilizojë edhe Bosnjen e Malin e Zi”.

Për këto arsye, siç thonë nga LVV-ja, s’do ta pranojnë kurrë “barazimin e agresorit me mbrojtësin dhe relativizimin e të drejtës për çlirim e rezistencë”.

“Atdheun do ta mbrojmë gjithmonë, me çdo kush e me çdo mjet. Lëvizja Vetëvendosje solidarizohet me çlirimtarët, familjet e tyre, dhe gjithë popullin tonë liridashës”, thuhet mestjerash në reagimin e tyre.

Gjykata Speciale shpall fajtor Salih Mustafën – 26 vjet burgim

“Në emër të popullit të Kosovës, duke marrë parasysh të gjitha provat, trupi gjykues ju shpall fajtor”.

Kështu është marrë vendimi për dënimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës, nga Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Mustafa, i cili njihet ndryshe edhe si komandant Cali u shpall fjator në disa pika – “torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje e paligjshme si krim lufte”.

Dënimi, nga 35 vjet sa kishte kërkuar prokuroria, është dhënë për 26 vjet.

Mustafa është shpallur i pafajshëm për pikën e aktakuzës “trajtim mizor”.

Duke qenë se Mustafa u shpall fajtor për më shumë se një vepër penale, trupi gjykues ka përcaktuar fillimisht nga një dënim për secilën vepër penale për të cilën është dhënë vendim fajësie.

Më pas Kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka shqiptuar dënimin në tërësi me 26 vjet heqje lirie.

“Trupi gjykues ka përcaktuar dënim me 10 vjet burgim për krimin e luftës ndalim arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për krimin e luftës së torturës dhe dënim me 25 vjet burgim për krimin e luftës së vrasjes së paligjshme”.

Dënimi ndaj Salih Mustafës nga Gjykata Speciale është i pari lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Gjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës.

“Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”, ka thënë ajo.

Në përmbledhje të aktgjykimit, Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.

“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”.

Për çka akuzohej Salih Mustafa?

Sali Mustafa, i njohur me nofkën “komandat Cali”, akuzohej për “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve”.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllashë, Kosovë, në prill të vitit 1999.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllashë, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhej se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Ndërkaq, Mustafa, i pyetur se si deklarohet për akuzat, kishte thënë: “I pafajshëm në të gjitha pikat që mi ngarkon kjo Zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore