Lajme

Reagimet e Perëndimit për situatën në Rusi mes tensioneve të Wagner-it


Presidenti i SHBA-ve Joe Biden është informuar dhe Shtëpia e Bardhë po monitoron situatën në Rusi pasi kreu i forcës mercenare Wagner bëri thirrje për një “marrëngritje të armatosur” kundër udhëheqjes ushtarake të Moskës, tha një zëdhënës të premten.

“Ne po monitorojmë situatën dhe do të konsultohemi me aleatët dhe partnerët për këto zhvillime”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adam Hodge.

Bashkimi Evropian thotë se ajo që po ndodh në Rusi është një ‘çështje e brendshme’, por se po ‘monitoron situatën’.

Një ndihmës i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy thotë se “gjithçka sapo ka filluar në Rusi”, duke i përshkruar veprimet e shefit të Wagner, Yevgeny Prigozhin si një “operacion kundër-terrorist”.

“Ndarja mes elitave është shumë e dukshme. Të pajtohesh dhe të pretendosh se gjithçka është zgjidhur nuk do të funksionojë”, shkroi Mykhailo Podolyak në Twitter. “Dikush duhet patjetër të humbasë: ose Prigozhin… ose kolektivi ‘anti-Prygozhin’”.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë thotë se shteti rus po përballej me sfidën e tij më të madhe të sigurisë së kohëve të fundit, pas asaj që tha se dukej të ishte një lëvizje e forcave të Grupit Wagner drejt Moskës.

“Gjatë orëve në vijim, besnikëria e forcave të sigurisë së Rusisë, dhe veçanërisht e Gardës Kombëtare Ruse, do të jetë çelësi për mënyrën se si do të zhvillohet kjo krizë. Kjo përfaqëson sfidën më të rëndësishme për shtetin rus në kohët e fundit”, tha ministria e mbrojtjes e Britanisë në një përditësim të rregullt të inteligjencës.

Presidenti i Polonisë thotë se ka zhvilluar konsultime me kryeministrin dhe Ministrinë e Mbrojtjes për situatën në Rusi, duke shtuar se Varshava zyrtare po monitoronte situatën.

“Në lidhje me situatën në Rusi, këtë mëngjes ne zhvilluam konsultime me kryeministrin dhe ministrinë e mbrojtjes, si dhe me aleatët”, shkroi Andrzej Duda në Twitter. “Rrjedha e ngjarjeve përtej kufirit tonë lindor monitorohet në mënyrë të vazhdueshme”.

Presidenti francez Emmanuel Macron po ndjek nga afër situatën në Rusi, shkroi më herët pallati presidencial.

“Ne qëndrojmë të fokusuar në mbështetjen për Ukrainën”, tha Elysee.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të shtunën në mëngjes se ajo “po ndiqte nga afër ngjarjet që po ndodhin në Rusi”.

Në një deklaratë, Meloni, një mbështetëse e vendosur e luftës së Ukrainës kundër forcave ruse, e quajti trazirat “dëshmi sesi agresioni në Ukrainë po shkakton gjithashtu paqëndrueshmëri brenda Federatës Ruse”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore