Lajme

Rasti Mehmetaj, Miftaraj: Prokurorja ka bërë një gabim profesional të pafalshëm


Ehat Miftaraj

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se prokurorja në rastin e kryeredaktorit të Albanian Post, Lirim Mehmetaj, e cila e ftoi në cilësinë e të pandehurit për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, pas një kallëzimi penal të dorëzuar nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) – partisë në pushtet – ka bërë një gabim profesional të pafalshëm.

Këto komente, Miftaraj i bëri përmes një postimi në Facebook, ku tha se prokurorja në fjalë ka iniciuar një rast “që i takon kompetencave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”.

“Ka nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve pa e marr fare në pyetje gazetarin Mehmetaj”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, drejtori i IKD-së e ka cilësuar si lajm “të mirë” qasjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, “i cili  sot komunikoi me publikun dhe në një fare mënyre na tregoi se do ta përmirësojë këtë gabim”.

“Sidoqoftë, prokuroret kur janë në pyetje media, gazetarët, liria e shprehjes, demokracia duhet të kenë kujdes te shtuar dhe mos të bëjnë gabime të tilla amatoreske që e cenojnë lirinë e medias dhe shprehjes së mendimit”, theksoi Miftaraj.

Lidhur me rastin e gazetarit Mehmetaj, ka pasur reagime të shumta nga shoqëria civile, personalitete të rëndësishme publike, opozita, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës etj, të cilët e kanë dënuar veprimin e prokurores për thirrjet e kryeredaktorit të AP-së në cilësinë e të pandehurit për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi nëpërmjet një komunikate për shtyp të mërkurën se në çështjen e kallëzimit penal ndaj Mehmetajt, do të analizohen dhe vlerësohen veprimet e prokurores së rastit që mund t’i ketë tejkaluar kompetencat jashtëligjshëm.

“Megjithatë, në situatën konkrete, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, do të analizoj veprimet e prokurores së rastit për këtë çështje dhe do të vlerësoj nëse eventualisht ka tejkalim të kompetencave që nuk janë në përputhje me ligjin”, u tha në njoftimin e prokurorisë.

Reagimi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë erdhi pas ftesës që u dërgua të martën në adresën e kryeredaktorit të Albanian Post për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit” pas dorëzimit të një kallëzimi penal ndaj Mehmetaj nga pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet.

Në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë thuhet ndër të tjera se Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për respektimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të tjera të njeriut të cilat janë të garantuara në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore