Lajme

Raportimi për atentat ndaj Kurtit – “RTK-ja të jap sqarim për këtë nivel të propagandës”


Albert Krasniqi nga organizata “Democracy Plus” e ka cilësuar si “amatoresk” raportimin e Radio Televizionit të Kosovës të shtunën për tentim atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së këtij të fundit në Maqedoni të Veriut.

“Fillimisht aludohet se sulmi ishte planifikuar të duket sikur vinte nga ‘ekstremistët e djathtë serbo-maqedonas’, ndërsa pas disa paragrafëve, thuhet se planifikohej të interpretohej si ‘qërim hesapesh’ në mes të shqiptarëve”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Krasniqit, ky lajm duket sikur ajo kronika e RTK-së me UFO, ku balona paraqitet si objekt që ndryshonte formë nga tigër në luan.

“RTK duhet të jap sqarime për këtë nivel të propagandës partiake në të cilën është përfshirë dje. Në të kundërtën i humbet kuptimi financimi nga publiku”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Kurti i pyetur nga gazetarët për situatën të shtunën, nuk e pohoi krejtësisht, por provoi të lë një hapësirë për interpretim.

“Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët në Beogradin zyrtar. Por unë sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veç se kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me Partitë Socialdemokrate”, deklaroi Kurti.

Por, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut mohoi kategorikisht pretendimet për “atentat ndaj Kurtit”.

“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për vrasjen e tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, thanë nga MPB e Maqedonisë së Veriut.

Mediumi publik, pasditen e të shtunës, ka raportuar se institucionet e sigurisë kanë siguruar të dhëna se nga Serbia, ka përpjekje për vrasjen e Kurtit, derisa ai po qëndronte në Shkup pas mbledhjes së  Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Atentati fiktiv” – Kryeprokurori i Shtetit as Kryeprokurori i PSRK nuk u informuar lidhur me pretendimet për atentat ndaj Kurtit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore