Shqipëria

Raporti iranian: Muxhahedinët po përgatisin ikjen nga Shqipëria


Liderët e grupimit muxhahedin MEK janë duke përgatitur ikjen e lëvizjes nga Shqipëria dhe po përmbyllin detajet e fundit për t’u mirëpritur në Kanada.

Ky është raporti i fundit që vjen nga media iraniane Tasnim, e cila është pranë Gardës Revolucionare, duke specifikuar se presioni i shtuar i Qeverisë shqiptare ndaj MEK, si edhe një ujdi e dështuar me Francën për t’u strehuar atje, po e shtyjnë organizatën në këtë vendimmarrje.

Më herët, Tasnim ka raportuar se liderja muxhahedine, Maryam Rajavi, nuk lejohet më të hyjë në territorin shqiptar.

Të dy këto pretendime të mediave iraniane Albanian Post nuk ka mundur t’i vërtetojë, pavarësisht kërkesës së vazhdueshme për informacion ndaj autoriteteve shqiptare, të cilat kanë qenë hermetike sa i takon rastit.

Por, nga ana tjetër, prej burimeve të redaksisë brenda MEK, është treguar se nuk ka asnjë të dhënë për largimin e tyre dhe situata është e paqartë.

Megjithatë, Tasnim raporton se një informacion është marrë nga burime të lidhura me sigurinë kombëtare, duke treguar se si MEK do të zhvendoset nga kampi Ashraf-3 në Manzë.

Largimi do të jetë gradual sipas tyre dhe lobistë të lidhur me organizatën, po trajtojnë çështjen me Kanadanë, për të dërguar eksponentët e tyre atje.

Pavarësisht kësaj, duke mos spekuluar, ky nuk mund të merret si një konfirmim lajmi i një agjencie si Tasnim, pavarësisht se kjo e fundit në artikull citon burime të saja në fushën e sigurisë.

Me Shqipërinë që ka ndërprerë çdo raport diplomatik me Republikën Islamike të Iranit, ku në trinom është futur edhe çështja e MEK, implikimi i Qeverisë shqiptare në një imazh bashkëpunues me regjimin iranian është kërkuar gjithnjë të bëhet popullor në publik, nga palë interesi si Teherani.

Mbi të gjitha, që prej kontrolleve të imtësishme në kampin MEK të vendosur në Manzë, të cilat u zhvilluan nga Policia shqiptare, me urdhër të Gjykatës së Posaçme.

Hetimet mbi rastin kanë të bëjnë me sulme të mundshme kibernetike që kanë prejardhje nga ky kamp dhe janë drejtuar drejt një pale të tretë (Irani në këtë rast).

Duke pasur një fabul të tillë në dorë dhe me pamje të kontrolleve policore të shpërndara në internet, të fryra edhe nga vetë muxhahedinët në Shqipëri, përmes agjencive të ndryshme informative, Teherani ka kërkuar të bashkëngjisë imazhin e Shqipërisë me atë të një vendi kundër MEK-ut.

Fakti gjithsesi është se Tirana zyrtare i ka mbështetur për qëllime humanitare muxhahedinët (nën tutelë të plotë nga ana e SHBA-ve) dhe mikpritja për ta në Shqipëri nuk është vënë kurrë në diskutim.

Por, nga ana tjetër, nëse nga territori shqiptar nisen sulme kibernetike drejt një pale të tretë nga ky grupim, atëherë marrëveshja quhet e thyer dhe pikërisht për këtë fakt, kontrollet u ushtruan (edhe me përleshje fizike) dhe për të parën herë u krijua një incident i të tilla përmasave në kampin e Manzës.

Në këtë frymë, është për t’u theksuar po ashtu se Shqipëria u mbështet pa kushte dhe rezerva nga aleatët ndërkombëtarë mbi kontrollet e ushtruara dhe të gjithë shtetet e fuqishme, që prej SHBA-ve dhe fuqive evropiane si Franca, Gjermania, Italia, treguan mirëkuptim për çfarë shteti ligjor shqiptar kishte ndërmarrë dhe nuk e quajti aspak incident të rëndë situatën.

Të vetmet media dhe palë, të cilat e etiketuan të tillë, ishin vetë muxhahedinët, përmes platformave të tyre informative, si edhe Republika Islamike e Iranit, përmes agjencive të informacionit.

Ndaj, thënë kjo, vetë Tasnim e përmbledh pretendimin se Rajavi është dëbuar dhe ndaluar të futet në Shqipëri, pas ikjes së saj në Francë dhe pikërisht mbi akuza për ushtrim të veprave terroriste ndaj Iranit.

Por një gjë e tillë nuk është vërtetuar nga asnjë burim qeveritar, apo në rang të drejtorive madhore të Policisë, sa i takon luftës kundër aktivitetit terrorist.

Mbi bazën e rastit të Manzës, Tasnim po kërkon të ndërtojë një narrativë, e cila mundet (ose jo) të jetë e vërtetë.

E gjitha duhet parë tashmë, mbi si situata do të ndërtohet dhe në çfarë përfundimesh pala shqiptare do të shkojë për rastin Rajavi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore