Shqipëria

Raporti i UNESCO-s për Butrintin nuk sulmon dhe as kritikon Planin e Menaxhimit, sipas AADF


Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka reaguar në lidhje me raportin e fundit të misionit të UNESCO-s.

Bashkëdrejtori i këtij fondacioni, Martin Mata, ka thënë se “raporti i UNESCO-s nuk sulmon dhe nuk bën kritika për Planin e Menaxhimit të Butrintit, por shpreh një shqetësim të drejtë për dy çështje: për menaxhimin e gjithë sipërfaqes së Parkut Kombëtar të Butrintit dhe për dakordësimin midis autoriteteve shqiptare dhe të UNESCO-s, për çdo ndryshim të tij”.

Mata ka shtuar se “Fondacioni Shqiptaro-Amerikan ka zgjedhur heshtjen lidhur me procesin që po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese lidhur me marrëveshjen për Butrintin pasi palët duhet të presin me durim dhe të respektojnë vendimin që gjykata do të marrë”.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit – si pjesë e marrëveshjes me Ministrinë e Kulturës për menaxhimin e ri të Parkut Kombëtar të Butrintit – ka folur për Zërin e Amerikës.

Sa i përket raportit, ai është kritik me autoritetet shqiptare për ndryshimin e kufijve të Parkut pa vënë në dijeni dhe pa miratimin e UNESCO-s, si dhe për formën e re të menaxhimit vetëm të një pjese të vogël të Parkut Kombëtar, që përfshin qytetin antik, duke lënë jashtë nën zonat e tjera.

Mata ka thënë se ishin në dijeni të misionit të UNESCO-s në Shqipëri.

“Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka qenë pjesë e vizitës dhe e bisedave që ekspertët nga UNESCO-s bënë kur erdhën në Shqipëri për të hartuar raportin në fjalë. Kështu që mund të themi që AADF ka qenë në dijeni që do të shkruhej një raport dhe me shumë korrektesë dhe në përputhje me të gjithë kërkesat e tyre ka dhënë atë informacion që i është kërkuar për rolin dhe pjesën që do të luante AADF në menaxhimin e Butrintit”, ka thënë ai.

UNESCO me kritika të forta ndaj Qeverisë shqiptare, për Butrintin

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit është pjesë e marrëveshjes për krijimin e një Fondacioni të Ri për menaxhimin e Butrintit për zonën A3, e cila përfshin sipërfaqen e qytetit antik që është më e vizitueshme dhe zë rreth 614,3 hektarë nga rreth 9424 hektarë që është sipërfaqja tërësore e Parkut.

Referuar raportit të fundit, menaxhimi vetëm i kësaj pjese nuk përmbush menaxhimin e integruar të arkeologjisë, monumenteve dhe pjesës natyrore të Butrintit, kërkuar edhe nga misionet e mëparshme të UNESCO-s.

Dhe se ministria duhet të ruajë autoritetin në gjithë territorin e Parkut.

Plani i Menaxhimit të Butrintit miratuar nga qeveria shqiptare në qershor të vitit 2020 rekomandonte që vetëm një sipërfaqe ndoshta 100-150 hektarë që i përkiste zonës ndërtimore të Ksamilit të hiqej nga Parku Kombëtar dhe të vendosej një Brez i Gjelbër përreth, për të parandaluar përparimin e ndërtimeve.

Në janar të vitit 2022, megjithëse qeveria e kishte miratuar vetë Planin e Menaxhimit hoqi nga Parku i Butrintit 600 hektarë dhe i hapi rrugë ndërtimeve në vijën bregdetare nga Kanali i Cukës afër Sarandës drejt Butrintit.

Raporti përmend se pas vendimit të rishikimit të kufijve të Zonave të Mbrojtura dhe heqjes së 600 hektarëve nga Butrinti, vendim që u mor në janar të vitit 2022, pa dijeninë dhe pa miratimin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore, për më tepër u miratua një muaj më vonë leja për ndërtimin e një resorti, në shkurt të vitit 2022.

Meta, lidhur me këto zhvillime ka thënë se “Butrinti ka një zonë që ne e quajmë ‘buffer zonë’ dhe duke qenë se ajo është përsëri pjesë e tërësisë për ta mbrojtur si vlerë botërore Butrintin, mendimi i AADF është që çdo ndryshim apo tjetërsim i kësaj sipërfaqe duhet të bëhet në përputhje me protokollet e UNESCO-s dhe duhet të bëhet në dijeninë e tyre dhe me aprovimin e tyre”.

“Ne si AADF, edhe të duam nuk e kemi atë rol, nuk e kemi atë mundësi, nuk e kemi atë vendimmarrje që të ndikojmë mbi qeverinë e radhës të Republikës së Shqipërisë dhe ti themi bëje këtë punë me UNESCO-s në këtë mënyrë, apo në një mënyrë tjetër”, ka vijuar ai.

Meta ka shtuar se “detyra jonë, është shumë specifike, që ne të ndihmojmë me financime dhe me gjetjen e modeleve më të mira që janë sot në botë dhe për fat të mirë trashëgimi botërore ka me shumicë sot në botë dhe për fat të mirë ka modele të mira shumë, siç ka edhe modele të këqija, të cilat për fat të keq kanë rrënuar ndoshta disa nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë botërore në botë dhe janë mësime të nxjerra, të cilat ne jemi munduar me shumë modesti t’i sjellim nëpërmjet këtij plani të menaxhimit që të mënjanojmë gabimet e mëdha dhe të shikohet mundësia nëpërmjet këtij plani që Butrinti të menaxhohet në mënyrë moderne dhe në mënyrë të qëndrueshme si asnjë sit tjetër”.

I pyetur nga Zëri i Amerikës se a kishte një reagim nga Fondacioni lidhur me procesin në Kushtetueses për marrëveshjen për Butrintin, Mata ka thënë se “komenti ynë është heshtja në respekt të një procesi, i cili ka nisur”.

Sipas tij, kur një çështje është në proces palët duhet të bëjnë durim, palët duhet të presin dhe duhet të respektojnë 100% atë vendim që Gjykata Kushtetuese do të marrë.

Ndaj, këtë do të bëjë edhe AADF.

“Në dijeninë tonë Raporti i UNESCO-s, me aq sa e kemi parë, ne nuk e kemi parë raportin të tërë, raporti nuk kritikon, nuk sulmon dhe nuk jep koment negativ mbi Planin e Menaxhimit. Raporti, në mendimin tonë shpreh një shqetësim të drejtë për dy gjëra; për menaxhimin e sipërfaqes së të gjithë Parkut Kombëtar të Butrintit dhe për rakordimin, për dakordësimin midis autoriteteve përkatëse shqiptare dhe të UNESCO-s për çdo ndryshim të tij. Plani i Menaxhimit është botuar në faqen e internetit të UNESCO-s që në vitin 2020 dhe është konsultuar me UNESCO-n është pranuar si një plan menaxhimi i mirë dhe në mbarim të procesit të Gjykatës Kushtetuese, të cilin jemi duke e respektuar 100% me heshtjen tonë për të pritur vendimin, besoj, patjetër edhe AADF do kushtëzojë dhe do përshtasë rolin e vet ndihmues në përputhje me atë vendim që do të marrë Gjykata Kushtetuese”.

Sakaq, mbi raportin ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga autoritetet shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore