Lajme

Raporti i Human Rights Watch kritikon gjuhën kërcënuese të burrit të presidentes ndaj gazetarëve


Foto: Albanian Post

Disa nga çështjet që organizata Human Rights Watch (HRW), ka përmendur në raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2022 për Kosovën, janë tensionet e shkaktuara në Veri të Kosovës, kërcënimet dhe frikësimet ndaj gazetarëve, vrasjet e grave nga bashkëshortët dhe diskriminimi i komunitetit LGBT+ në Kosovë.

Në raport tek pjesa e Kosovës është trajtuar edhe çështja e keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë, sulmet dhe kërcënimet ndaj tyre dhe, siç u tha, “reagimi i dobët i organeve të shtetit”.

Në periudhën janar-gusht 2022 theksohet se nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, janë regjistruar 22 raste të sulmeve, katër raste më shumë të regjistruara se në vitin 2021 për ngacmimet dhe kërcënime ndaj gazetarëve dhe organeve të medias.

Gjatë raportit është përmendur edhe gjuha ndaj gazetarëve e bashkëshortit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, i cili njëherësh është edhe zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Prindon Sadriu, si dhe shefit të kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipi.

Në muajin shkurt të 2022 Sadriu, me një postim në Facebook etiketoi gazetarët dhe mediat në Kosovë si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Ndërsa në muajin mars, shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Luan Dalipi, në një postim në rrjetin social ‘Facebook’, lidhi mediat e Kosovës me “biznese kriminale” dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i bojkotojnë ato.

Gazetarët në Veri.

“Deklarata të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut në media dhe të krijojnë një mjedis armiqësor për gazetarët”, tha HRW.

Nga kjo organizatë ndërkombëtare u tha se gjendja e të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor, akoma karakterizohet nga ndjekja e ngadaltë e krimeve të luftës, qëndrimi i dobët ndaj të drejtave të minoriteteve, grave dhe komunitetit LGBT, si dhe liritë e dobëta të medias.

Kurse është përmendur edhe rasti i dhunimit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë nga pesë të dyshuar dhe vrasja e grave nga bashkëshortët e tyre.

“Të mbijetuarit e dhunës në familje vazhdojnë të përballen me pengesa për të marrë mbrojtje, duke përfshirë disa ndjekje penale dhe dështimin e gjyqtarëve për të lëshuar urdhra ndalimi kundër dhunuesve, si dhe ulje të dënimeve në rastet e vrasjeve të grave nga bashkëshortët e tyre, sipas Rrjetit të Grave të Kosovës”.

HRW, ka përmendur edhe orientimin seksual dhe identiteti gjinor, ku tregon se Qendra për Barazi dhe Liri e komunitetit homoseksual (LGBT+) në Kosovë, ka regjistruar pesë raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj komunitetit, katër prej të cilave kanë të bëjnë ndaj dhunës nga anëtarët e familjes ose partnerët ndaj personave transgjinorë.

Në raport, nga rajoni është përfshirë edhe shkelja e të drejtave të njeriut në Serbi, ku është theksuar dhuna ndaj gazetarëve të pavarur si dhe zhvillimi i Paradës së Krenarisë të komunitetit LGBT+ serb nën mbrojtje të policisë.

HRW theksoi se ndërmjet janarit dhe gushtit në Serbi, Zyra e Prokurorit për Krimet e Luftës nisi shtatë hetime të reja kundër të dyshuarve për krime lufte.

Deri në gusht, 16 raste kundër 39 të pandehurve ishin para gjykatave në Serbi.

Nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, nuk janë përfshirë në raportin vjetor të organizatës.

Në raportin e 33-të, HRW monitoroi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2022 në 100 vende të botës, përfshirë Bosnjë dhe Hercegovinën (BeH), Kosovën dhe Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore