Lajme

Raporti i “Freedom House”: Korrupsioni çështje serioze shqetësuese në Kosovë


Organizata ndërkombëtare “Freedom House” me seli në Uashington ka publikuar raportin vjetor për vitin 2023 ku vlerësohet se Qeveria aktuale e Kosovës dukshëm nuk ka arritur të përmirësojë funksionimin e brendshëm të shtetit apo zbatimin efektiv të reformave, pavarësisht stabilitetit në qeverisje, meqë Lëvizja Vetëvendosje – partia në pushtet gëzon shumicën në Kuvend.

“Kjo është për shkak të tensioneve të vazhdueshme në komunat me shumicë serbe në Veri, dhe ngjarjeve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) me Serbinë”, thuhet në raportin e “Freedom House” i titulluar “Nations in Transit 2024”.

Raporti i “Freedom House” ndër të tjera ka vlerësuar se korrupsioni në Kosovë “vazhdon të mbetet një çështje serioze shqetësuese në Kosovë”.

“Sipas Raportit të BE-së për vitin 2023, rezultatet e qeverisë në luftimin e korrupsionit janë të kufizuara”, thekson raporti.

Kosova, sipas raportit të Freedom House, nuk ka pasur një strategji formale kundër korrupsionit që nga viti 2018.

“Qeveria e Kosovës ka hartuar një strategji kundër korrupsionit që nga maji i vitit 2023, por procesi është ndërprerë për shkak të divergjencave të brendshme brenda grupit punues, gjë që rezultoi me deklarata publike në maj ku kryeministri Kurti akuzoi opozitën për bllokim të progresit”.

Kosova sërish është radhitur në grupin e regjimeve hibride, “demokraci tranzicionale”, në raportin e organizatës “Freedom House”.

Demokracia në Kosovë, sipas vlerësimeve dhe matjeve të kësaj organizate, nuk ka pësuar asnjë ndryshim.

Kosova si në vitin paraprak edhe gjatë këtij viti është vlerësuar me plotë 3.29 pikë, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore