Lajme

Raporti i ekspertizës zvicerane për Astrit Deharin: Objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin s’tregojnë tjetër ADN, përveç të atij


Astrit Dehari

Rezultatet e raportit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit, tregojnë se “analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së për veç të atij të Astrit Deharit”.

Njoftimin për rezultatet e ekspertizës e ka dhënë Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria ka njoftuar se “më datë 01.04.2022, ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit”.

Sipas tyre, “raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe”.

“Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton: – Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së për veç të atij, Astrit Dehari”.

Gjithashtu, sipas raportit të ekspertizës, “analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mos prani të etanolit”.

“Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar”.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale njofton se “do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”.

Gjithashtu, “Prokuroria Speciale siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti”.

Nga prokuroria është njoftuar se raporti në të dyja gjuhët, frënge dhe shqipe, do t’u dorëzohet familjarëve dhe përfaqësuesve të tyre ligjor në këtë rast.

Astrit Dehari është gjetur i vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016 në rrethana që ende vazhdojnë të jenë të paqarta.

Deklarata e parë nga Policia e Kosovës në atë kohë ishte se Dehari kishte vdekur si pasojë e medikamenteve.

Vdekja e Astrit Deharit, menjëherë u cilësua si e dyshimtë, ndërsa u kërkua që ndaj tij të bëhej edhe autopsia nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Astrit Dehari kishte vdekur në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.

LVV-ja në atë kohë tha se vdekja e Astrit Deharit ishte përgjegjësi institucionale.

Dyshime rreth vdekjes së Astrit Deharit pati edhe familja e tij.

Më datë 7 nëntor të vitit 2016, u krye edhe autopsia e trupit të Astrit Deharit ndërsa, Sylë Hoxha, ish-prokuror i Prizrenit atë kohë kishte dalë me deklaratë se ish-aktivisti i LVV-së kishte vdekur si pasojë e asfiksisë apo problemeve me frymarrjen.

Në shkurt të vitit 2017, familja Dehari vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.

Kuvendi i Kosovës, kishte diskutuar për këtë rast duke e inkurajuar Prokurorinë që ekspertiza të dërgohej jashtë Kosovës. Me 17 maj, 2017, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri kishte konfirmuar para Kuvendit se kjo lëndë do të dërgohej në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore