Lajme

DASH: Pati njoftime të shumta për korrupsion në Qeverinë e Kosovës


Në raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2023, thuhet se shoqëria civile kritikoi qeverinë për ndërhyrje publike në pavarësinë dhe paanshmërinë e institucioneve të gjyqësorit, në veçanti për rastet e hetimit për korrupsion të zyrtarëve të qeverisë.

“Megjithëse legjislacioni i Kosovës parashikon ndëshkimin penal të korrupsionit të zyrtarëve, qeveria nuk e zbatoi ligjin me efektshmëri. Pati njoftime të shumta për korrupsion qeveritar dhe zyrtarët u angazhuan ndonjëherë në praktika korruptive pa u ndëshkuar”, thuhet në raport. 

“Mungesa e një mbikëqyrjeje të efektshme ndaj gjyqësorit dhe një dobësi e përgjithshme në funksionimin e shtetit ligjor kontribuuan më tej në këtë drejtim”.

Sipas raportit, megjithëse kushtetuta e Kosovës parashikon një gjyqësor të pavarur, gjyqësori nuk ka arritur të ofrojë gjithnjë një proces të drejtë.

“Me mangësira në llogaridhënien e zyrtarëve të drejtësisë, strukturat e gjyqësorit u ndikuan nga ndërhyrjet politike, emërimet e debatueshme dhe mandatet e paqarta”.

Megjithëse kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë lirinë e shprehjes, përfshirë të punonjësve të shtypit dhe mediave të tjera, sipas DASH-it pati raportime të besueshme se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe elementë të botës së krimit dhe madje edhe grupet fetare u përpoqën të frikësojnë përfaqësuesit e mediave dhe përdorën dhunën apo kërcënimet ndaj gazetarëve.

“Shoqata raportoi se zyrtarët e qeverisë, përfshirë kryeministrin dhe drejtuesit e partisë në pushtet, u angazhuan në fushata për të dëmtuar besimin e publikut tek mediat. Me gati 60 raste sulmesh të raportuara gjatë vitit, gazetarët u shprehën se për shkak të trysnisë nga politikanët dhe grupe kriminale, kaluan shpesh në vetëçensurim të raportimit të tyre”.

Tutje në raport theksohet se “sulmet ndaj gazetarëve gjatë tensioneve në veri të Kosovës në muajt maj dhe qershor dëmtuan pajisjet, dogjën automjete dhe lënduan fizikisht punonjësit e grupeve të mediave në terren.

“Gazetarët thanë se disa prej këtyre sulmeve ishin të drejtuara dhe të miratuara nga udhëheqësit politikë në veri të vendit, megjithëse ata kanë mohuar ndonjë përfshirje të mundshme”.

Raporti vë në dukje se qeveria serbe vazhdoi të mbajë struktura të paligjshme paralele të qeverisjes në zonat me shumicë serbe dhe se i përdor këto struktura për të influencuar këto komunitete dhe përfaqësuesit e tyre politikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore