Shqipëria

Ranucci: Rama dhe Agaçi refuzuan intervistat, dokumentet tona janë gjyqësore


“Na vjen keq që kryeministri Edi Rama dhe këshilltari i tij juridik, Engjëll Agaçi, nuk e pranuan intervistën. Nuk e kuptoj pse nuk pranuan një intervistë me televizionin publik italian”.

Kështu është shprehur drejtuesi i emisionit investigativ Report të Rai 3, Sigfrido Ranucci sa i takon dokumentarit të fundit për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, ku u vendos në shënjestër një nga bashkëpunëtorët e kryeministrit Edi Rama, Engjëll Agaçi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.

Në një intervistë për “Syri Tv”, Ranucci tha se “kemi vepruar mbi bazën e dokumenteve gjyqësore, pra shumë të rëndësishme”.

“Unë sinqerisht e prisja më shumë një reagim në Itali se ne jemi televizion publik që bëjmë investigime të rëndësishme. Merremi me administratën publike. Italia po jep 1 miliard euro para publike për këtë program për emigrantët. Sigurisht me Shqipërinë duhet të bënim llogaritë edhe me korrupsionin”.

Ai shtoi se “është ajo përgjigjja e shkruar nga Agaçi që kemi publikuar në faqen tonë, që ka konfirmuar lajmin që dhamë që ka qenë përfaqësuesi ligjor i disa klientëve të përfshirë në narkotrafik dhe konsulent në marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët dhe konsulent për operacionin e atëhershëm të gjeneralit Lisi”.

Ranucci deklaroi se programi investigativ Report në RAI3 do të vazhdojë edhe të dielën që vjen duke trajtuar çështjen që tronditi themelet e qeverisë së Edi Ramës.

Ai tha se reportazhi i tyre nuk është sulm ndaj popullit shqiptar, pasi çdo gjë është thënë me emër dhe mbiemër.

“Këtë duhet ta them qartësisht, nuk është një sulm ndaj popullit shqiptar, që sipas meje është shumë i afërt me ne. Absolutisht nuk duhet të përgjithësojmë. Është një transmetim shumë kritik, por ne nuk duam të përgjithësojmë. Ne kemi folur për çështje me emra dhe mbiemra. Kur ka përgjegjësi penale, ka emra dhe mbiemra. Nuk është sulm për popullin shqiptar, për Shqipërinë”.

Ai mohoi faktin që dokumentari është përdorur për të sulmuar Melonin përmes Ramës dhe Shqiëprisë.

“Duke iu përgjigjur direkt komentit të Edi Ramës sot në italisht, i cili e niste përgjigjen duke cituar si zakonisht gjyshen e tij”, Ranucci tha se i adhuron gjyshet, por se nuk e ha presionin.

“Unë i adhuroj gjyshet. Gjithmonë kam shkuar mirë me gjyshet e mia. Respekt që ka përmendur gjyshen Rama, por ky mendim i gjyshes nuk mund të perceptohet si presion. Unë nuk e marr si presion. Mendoj se Rama i ka thënë ato gjëra në interesin ekskluziv të Shqipërisë, për të krijuar tensione mbi shtypin e lirë të një vendi tjetër se kjo do ishte e rëndë po ta bënte”.

Si iu përgjigj Engjëll Agaçi emisionit ‘Report’ dhe pse nuk u publikuan në dokumentar fjalët e tij?

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore