Lajme

Ramush Haradinaj: Kërkojmë rinumërim të plotë të votave, kriminelët të futen në burg


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar rinumërim të plotë të votave dhe ka kërkuar nga organet e ligjit që keqpërdoruesit e detyrës të përfundojnë në burg.

“Jemi të shqetësuar me keqpërdorimet që kanë ndodhur në disa raste nga disa komisionerë ose vëzhgues të pa ndërgjegjshëm, andaj kërkojmë nga organet e rendit e të ligjit, që kriminelët e votës të përfundojnë në burg. Për këtë arsye në kërkojmë rinumërim të plotë të votave me përcjellje të hetuesisë dhe policisë me qëllim që të vërtetohet e vërteta”, ka thënë Haradinaj për media pas mbledhjes së kryesisë së këtij subjekti politik.

Po ashtu, ai ka theksuar se nuk duhet asnjë parti të dal kundër rinumërimit “përpos nëse fshehin keqpërdorime të cilat nuk i din opinioni”.

Sipas tij, ndërtimi i institucioneve duhet të bëhet sa më shpejt.

“Ndërtimi i institucioneve duhet të bëhet sa më shpejt pra ne nuk kontestojmë rezultatin zgjedhor përqindjen tonë apo përqindjen e Vetëvendosjes, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Partisë Demokratike të Kosovës apo të partive të tjera”, ka thënë ai.

Lidhur me këto ngjarje, ditë më parë ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministres në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Haradinaj-Stublla ka treguar arsyen e largimit dhe dorëheqjes së saj, ku thotë se “këtë vendim e marr vetëm për shkak të pamundësisë morale që më është shkaktuar dhe imazhit që më është dëmtuar nga persona me qëllime të pista, e jo sepse ndjej përgjegjësi për manipulimet dhe akuzat që më janë mveshur pamëshirshëm mua dhe familjes time”, ka thënë ajo.

Menjëherë pas dorëheqjes së saj dhe lirimit nga detyra, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka emëruar zëvendësin e tij Besnik Tahirin, si ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Ndërsa Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të martën ka arrestuar dy persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore