Lajme

Ramosaj kërkon që Komuna të menaxhojë dhe administrojë ujin e pijes në Deçan


Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Pejë, ndaj dy zyrtarëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, “Hidrodrini”, sa i përket helmimit të qytetarëve deçanas që ndodhi gjatë verës së vitit 2021.

Ramosaj përmes një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se ky rast duhet të hetohet deri në përfundim të procedurave sipas legjislacionit në fuqi.

“Komuna e Deçanit mirëpret veprimet e ndërmarra nga prokuroria themelore në Pejë, e cila sot, në konferencën për media, informoj që ka përfunduar hetimet, që kanë të bëjnë me rastin e helmimit të 1500 qytetarëve të komunës së Deçanit nga uji i pijes gjatë muajit korrik 2021. Duke shpresuar që ky rast të merr trajtimin e duhur deri në përfundim të procedurave sipas ligjeve në fuqi”, ka shkruar Ramosaj.

Klinika Emergjente në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan

Ai ka kërkuar që t’i jepet e drejta Komunës së Deçanit në menaxhim dhe të administrojë me ujin e pijes në të gjithë territorin e kësaj komune.

“Edhe njëherë, me të drejtë ritheksojmë se: Komuna e Deçanit insiston që të ketë në menaxhim dhe të administroj me ujin e pijes në të gjithë territorin e komunës së Deçanit!”.

Më 7 shkurt, Prokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Dorjan Juniku, në një konferencë për media ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë rajonale “Hidrodrini”, lidhur me helmimin e qytetarëve të Deçanit, që ndodhi në verën e vitit të kaluar.

“Ju njoftoj se pas një hetimi intensiv disa mujor në çështjen penale që ka të bëjë me helmimet e mbi 1,500 qytetarëve të Deçanit dhe fshatrave përreth, sot më datën 7 shkurt 2022, kam ngritur aktakuzën kundër dy zyrtarëve si persona përgjegjës të kompanisë rajonale “Hidrodrini”.

“Kundër drejtorit të departamentit teknik për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe kundër kimistes së kësaj kompanie për veprën penale “mos evitim të rrezikut”, ka thënë Juniku.

Tutje, ai tha se “dy personat me nënshtetësi serbe që u panë në kamerat e sigurisë në kohën kur ndodhi helmimi, nuk janë të involvuar në këtë rast”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore