Lajme

“Hapja e pusetave dhe mungesa e klorit në ujë”, shkaqet për ngritjen e aktakuzave për helmimet e 1500 qytetarëve në Deçan


Klinika Emergjente në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Dorjan Juniku, në një konferencë për media ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë rajonale “Hidrodrini”, lidhur me helmimin e qytetarëve të Deçanit, që ndodhi në verën e vitit të kaluar.

“Ju njoftoj se pas një hetimi intensiv disa mujor në çështjen penale që ka të bëjë me helmimet e mbi 1,500 qytetarëve të Deçanit dhe fshatrave përreth, sot më datën 7 shkurt 2022, kam ngritur aktakuzën kundër dy zyrtarëve si persona përgjegjës të kompanisë rajonale “Hidrodrini”.

“Kundër drejtorit të departamentit teknik për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe kundër kimistes së kësaj kompanie për veprën penale “mos evitim të rrezikut”, ka thënë Juniku.

Tutje, ai tha se “dy personat me nënshtetësi serbe që u panë në kamerat e sigurisë në kohën kur ndodhi helmimi, nuk janë të involvuar në këtë rast”.

Me simptoma të diarresë, të vjellave, dhembje të kokës, barkut dhe plogështi, rreth 1500 qytetarë të komunës së Deçanit u paraqitën në Klinikën Emergjente në Qendrën e Mjekësisë Familjare në po këtë qytet.

Nga e diela e dhjetë korrikut të vitit të kaluat, kur edhe u paraqitën rastet e para të këtij helmimi, numri i madh i qytetarëve që kërkuan ndihmë në këtë institucion të shëndetësisë, bëri që profesionistët e fushës të besonin se bëhej fjalë për një helmim nga uji i pijes.

Pas analizave të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, rezultatet nuk flasin për nje gjë të tillë.

Kështu Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe më pas gati të gjitha institucionet qendrore zbarkuan në këtë qytet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore