Lajme

Ramadani jep detaje për helmimet që ndodhën në Prishtinë


Pas lajmërimit se janë helmuar rreth 20 persona në fshatin Trudë të Prishtinës, ka dhënë informata shtesë në lidhje me rastin edhe Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani.

Albanian Post ka kontaktuar drejtorin e IKShPK-së, Naser Ramadanin, i cili tha se “gjendja e te helmuarëve është stabile”.

“Sot në mesditë kemi marrë informacion nga kryeinspektori i AUV-it Ibrahim Tërshnjaku, se në fshatin Trudë të Prishtinës janë helmuar disa qytetarë. 12 persona kanë kërkuar ndihmë në Besi dhe në gjashtë në një nga QMF-të në Prishtinë. Ata kanë pasur shenja të detoksimit nga ushqimi, si ethe, barkqitje, temperature, vjellje”, tha Ramadani.

Ai shpjegoi se të helmuarve u është bërë testi anti-Covid dhe të gjithë kanë rezultuar negativë.

“Jemi duke e monitoruar situatën. I kemi marrë edhe mostrat e ushqimit në laborator dhe jemi duke i ekzaminuar”, ka thënë Ramadani.

Ndër të tjera drejtori i IKShPK-së tha se mund të ketë edhe të tjerë të helmuar që nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Krejt kjo pasi në një të pame në një rast vdekje në fshatin Trudë të Prishtinës, një familje kishte porositur ushqim për 85 persona.

“Një familje kishte porositur ushqim në një restorant për 85 persona që ishin në një të pame. Ata pasi kanë ngrënë iu kishin shfaqur simptomat e helmimit”, shpjegoi Ramadani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore