Shqipëria

Rama udhëton drejt Japonisë për një vizitë 5-ditore


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka planifikuar në agjendën zyrtare një vizitë në kryeqytetin e Japonisë, Tokyo në datat 21-25 shkurt.

Vizita vjen në kuadër të 42-vjetorit të vendosjes zyrtare të Marrëdhënieve Diplomatike mes dy vendeve.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në kryeqytetin aziatik, Rama do të zhvillojë një sërë takimesh, në kuadër të forcimit dhe thellimit të bashkëpunimeve mes dy shteteve.

Kjo, duke rikonfirmuar miqësinë mes dy vendeve, si edhe angazhimin e ndërsjellë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sferën dypalëshe dhe shumëpalëshe, në përballimin e sfidave së bashku si miq dhe aleatë që ndajnë të njëjtat vlera.

Rama do të zhvillojë një takim bilateral me kryeministrin japonez Fumio Kishida, si dhe do të marrë pjesë së bashku me delegacionin që e shoqëron, në darkën e shtruar prej tij.

Kujtojmë që gjatë vitit të kaluar u shënua 100-vjetori i marrëdhënieve të miqësisë mes Shqipërisë dhe Japonisë.

Japonia e njohu qeverinë shqiptare në vitin 1922 nëpërmjet shkëmbimit të notave ndërmjet ministrave të jashtëm të asaj kohe.

Kërkesa shqiptare për njohje nga Qeveria e Japonisë, e nënshkruar nga ministri i Jashtëm Fan S. Noli, daton në 28 janar 1922, ndërkohë përgjigja pozitive, e nënshkruar nga ministrja e Jashtme e Perandorisë së Japonisë, Uchida Yasuya, daton përsëri në 18 prill 1922.

Më 10 mars 1981, nënshkrimi i (ri)fillimit të marrëdhënieve tona diplomatike dhe hapja e Ambasadës së Japonisë në Tiranë, më 1 janar 2017, solli një epokë të re të marrëdhënieve dypalëshe.

Gjatë viteve të fundit, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Japonisë janë rritur në përputhje me vullnetin e ndërsjellë për të forcuar miqësinë dhe për të ndërtuar sa më shumë ura komunikimi dhe bashkëpunimi.

Të dyja vendet gëzojnë bashkëpunim të mirë brenda organizatave ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, ku Shqipëria shërben si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit 2022-2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore