Shqipëria

Rama: Sfida e mandatit të tretë, bashkëpunimi me opozitën


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka përmbyllur fjalimin e tij në Kongresin e Partisë Socialiste, me inkurajimin dhe ftesën e hapur për dialog me Partinë Demokratike, duke shmangur “politikën që i ka shkatërruar nervat këtij populli”.

Ky, për Ramën, është borxhi që socialistët kanë ndaj atyre që i dhanë mandatin e tretë. Një mandat i tretë, që për kryeministrin, është i rrallë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën.

“Të fitosh në politikë nuk është si të fitosh një kupë. Kur fiton zgjedhje, fiton për të shërbyer, jo për të festuar”, ka cilësuar Rama. “Por, edhe për të luftuar për kë të ka dhënë të drejtën për të qeverisur”.

Rama e ka vijuar ftesën e tij për PD-së, duke shtjelluar se ajo që i duhet Shqipërisë dhe politikës shqiptare, është një debat politik larg atij të shkuarit, të cilin kryeministri, e vlerësoi më së shumti si “sherr” se sa debat konstruktiv.

“Një vijë e hollë na ndan mes lavdisë dhe turpit”, vijoi ai. “Opozitën e zgjedh populli, por ne e kemi dorën gjithnjë të shtrirë, për të mirën e popullit”.

Një dorë, që shtrihet nga shqiptarët të cilët kanë në dorë fuqinë që i kanë dhënë shqiptarët. Kështu e ka vlerësuar Partinë Socialiste tashmë 30-vjeçare Rama.

“Njerëzit e kanë thënë: Ose e bëjnë këta Shqipërinë, o nuk e bën njeri. Nëse sot ne bëjmë çfarë duhet, nesër, shqiptarët, do ta duan Shqipërinë jo vetëm për lidhjen e gjakut, por për kushtet që ne do të krijojmë për të jetuar këtu”.

Për kryeministrin me tre mandate radhazi, kjo është sfida e socialistëve për mandatin e tretë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore