Shqipëria

Rama: Serbia duhet ta njohë Kosovën, të kërkojë falje dhe në fund shqiptarët duhet të bashkohen, këtë e do edhe Albin Kurti


Rrugëtimi mund të jetë i ndryshëm, por qëllimi në fund mbetet vetëm një: Serbia duhet ta njohë Kosovën, të kërkojë falje dhe në fund shqiptarët duhet të bashkohen.

Të njëjtën gjë, e do edhe Albin Kurti.

Kështu ka përsiatur kryeministri shqiptar, Edi Rama, lidhur me çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka kërkuar të mos hyjë në detaje, pasi është një rrethanë, e cila i takon vetëm homologut të tij, Kurtit.

“Rrugët i mendojmë ndryshe, por kryeministër i Kosovës është Albini dhe i takon atij të vendosë dhe realizojë rrugëtimin”, theksoi Rama, duke i dëshiruar një sukses të plotë në procesin e arritjes së marrëveshjes me Serbinë e më tutje, në njohjen ndërkombëtare të plotë, përfshi institucionet.

Këtu ai iu referua edhe deklaratave të fundit të Kurtit, sa i përket planit franko-gjerman, i cili është edhe drafti kryesor për të zgjidhur ngërçin rreth njohjes reciproke për Kosovën dhe Serbinë.

Megjithatë, sërish, Rama nuk ka komentuar mbi dokumentin evropian, duke përsëritur se çështja, i takon krejtësisht Kurtit për ta mbajtur mbi shpatulla.

Nga ana tjetër, ai ka anashkaluar po ashtu një deklaratë të kryeministrit kosovar, ku ai jepte një mesazh për Ramën dhe presidentin serb, Alexander Vuçiç.

Sipas Kurtit, kreu i Qeverisë shqiptare duhet t’i besojë më pak presidentit serb, pasi ky i fundit është një degëzim i Vladimir Putinit në Ballkanin Perëndimor.

Pavarësisht faktit se Rama pretendoi se një “përgjigje të duhur për atë çfarë tha e kishte”, ai preferoi të mos e bënte komentin.

Por, në vëmendje, ktheu faktin se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të kërkojë falje për çdo krim lufte të kryer ndaj popullit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore