Shqipëria

Rama: Sa kënaqësi kur të tëra fjalët i merr era dhe veprat mbeten të vetmet që flasin


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar përmes një statusi në median sociale Facebook pas dorëzimit të 87 banesave të reja – për qytetarët që mbetën pa banesa nga tërmeti që tronditi vendin më 26 nëntor të vitit 2019.

“Sa kënaqësi kur të tëra fjalët i merr era dhe veprat mbeten të vetmet që flasin”, shkruan Rama.

Kryeministri shoqërohej nga ministri i Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj, gjatë dorëzimit të çelësave të banesave.

“Ky është nga ato momentet krejt të veçanta njerëzore, kur mbushesh i gjithi me ndjesinë e bukur të vlerës së pazëvendësueshme të politikës në të mirë të jetës së njerëzve dhe i bën hallall sharjet, mallkimet, shpifjet, streset e mundimet e të marrurit me politikë për të shërbyer, jo për të rrëmbyer”, vijon numri një i qeverisë në statusin e tij.

Ai shkruan se kishte shumë mosbesim, ankesa, akuza, përqeshje e shpoti, kur përsëriste se do t’i kthenin të gjithë në shtëpi.

“Sa shumë sajesa e fantazi për shtëpitë që nuk do të ndërtoheshin kurrë, për banesat që s’do të jepeshin kurrë falas; sa shumë energji negative, për sa e sa çudira mendore, teksa duhet të shtrëngonim dhëmbët nga vonesat objektive të pandemisë e nga lloj-lloj yçklash…”, përmbyll Rama reagimin e tij.

Vendimi

Më 9 dhjetor, Këshilli i Ministrave mori vendimin për të shtuar 7 miliardë lekë për “Programin e Rindërtimit”.

Këtë lajm e bëri të ditur fill pas mbledhjes ministri i Shtetit për Rindërtimin njëkohësisht edhe zëvëndëskryeministri, Arben Ahmetaj.

“Ritheksoj se programi i rindërtimit ka vetëm 35 miliardë, kjo me të njëjtën logjikë për shpejtimin e rikthimit të familjeve në shtëpi”.

Ai bëri me dije se synohet rikthimi në shtëpi për një numër të konsiderueshëm familjesh në Thumanë, Durrës, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë, Kurbin dhe Manzë.

Dy vite më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të pakthyeshme, ku humbën jetën rreth 50 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Gjithashtu pati dhe dëme materiale, shumë ndërtesa u shembën dhe disa të tjera u kthyen në të pabanueshme.

Në total për t’u riparuar ishin 242 pallate, ku më të dëmtuarat ishin në Shijak, duke u ndjekur nga Kurbini, Durrësi, Kamëz, Kavaja, Vora, Kruja, Lezha dhe Mirdita.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore