Shqipëria

Rama nga Universiteti i Georgetown në Washington: Shqipëria e vogël me vlera të mëdha


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij katërditore në SHBA, të mërkurën e 16 shkurtit ka marrë pjesë në pritjen e zhvilluar në Universitetin Georgetown në Washington.

Gjatë ceremonisë, kreut të qeverisë shqiptare iu bënë falënderime për pritjen e refugjatëve afganë, për çka mori dhe një dekoratë.

“Ndihem i përulur dhe jam kapur në befasi, sepse askush nuk më kishte njoftuar që do merrja këtë shenjë kaq të bukur mirënjohjeje”, iu drejtua Rama të pranishmëve.

Gjatë fjalimit të tij, ai ceku edhe disa pika kryesore, që e karakterizojnë vendin tonë: mikpritje, harmoni dhe bashkëjetesë fetare.

Sa i përket mikpritjes, ai u ndal te dyert që Shqipëria u hapi rreth 2 mijë refugjatëve afganë për t’u strehuar përkohësisht.

“Është e trishtë që një vend kaq i vogël si Shqipëria përgëzohet kaq shumë, pasi të tjerë shumë më të pasur, më të mëdhenj u larguan përballë nevojës së këtyre njerëzve në Afganistan që përballeshin me kërcënimin e vdekjes vetëm sepse na besuan. Ne nuk mund të zhdukeshim”, theksoi Rama në fjalën e tij.

Më tej, ai u shpreh se afganët mund të rrinë në Shqipëri sa të duan.

“Na thanë se do të jetë vetëm për pak muaj. Dhe u thashë miqve tanë, mos premtoni këtë! Ata mund të qëndrojnë sa të duan, deri kur të plotësohen me viza, por mund të rrinë edhe përgjithmonë”.

Falënderimet për Ramën nuk u ndalën vetëm te mikpritja e afganëve.

Në pah u vendos fakti i përbërjes së kabinetit qeveritar “Rama 3”, i cili ka më shumë gra sesa burra.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Sa i përket kësaj, Rama u përgjigj se, “besoj se na duhen më shumë gra, burrat janë të mirë për të folur, ndërsa gratë për të bërë gjërat”.

Gjatë fjalës së tij, numri një i qeverisë u ndal edhe te regjimi shtypës që ka kaluar Shqipëria.

Ai vuri theksin se, pavarësisht kësaj, besimi nuk u ndal dhe sot vendi ynë gëzon një harmoni dhe bashkëjetesë fetare.

Këtë të fundit e cilësoi si pjesën më të bukur që ka Shqipëria.

“Unë do të doja të shtoja se unë jam katolik dhe bashkëshortja ime është myslimane. Dy fëmijët tanë të rritur nga martesat e mëparshme janë ortodoksë, kemi edhe një fëmijë të vogël, i cili mund të zgjedhë të bëhet hebre. E përmend këtë shembull sepse kjo është trashëgimia më e bukur që ka Shqipëria dhe na duhet ta kremtojmë dhe të sigurohemi që fëmijët tanë do të vazhdojnë në rrugën e të parëve tanë që shpëtuan hebrenjtë”.

E pranishme me Ramën ishte edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Kujojmë që dje Rama u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken – një takim që zgjati 45 minuta. Blinken shprehu gjithashut mirënjohjen për Kryeministrin për sa i takon mikpritjes së afganëve.

Si edhe për rolin e rëndësishëm që Shqipëria ka marrë në Këshillin e Sigurimit, si bashkëpenëmbajtëse me SHBA-të.

Fjala e Ramës në Këshillin e Sigurimit

Ndërkaq Rama, një ditë më parë, në fjalën e tij në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tha se kjo “shënon një gur themelor në transformimin e vendit tonë”.

Ndërsa më 14 shkurt, Rama u takua me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Nga New York-u, Rama theksoi se Këshilli i Sigurimit “duhet të kërkojë arritjen e paqes dhe sigurisë”.

Shqipëria është e shqetësuar për vendosjen e trupave ruse në kufirin ukrainas.

Sipas kryeministrit, anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe dimensioni që ky fakt i jep marrëdhënieve mes palëve, pasurohet me “një fakt të ri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore