Lajme

Rama kërkon hetim për lëndimin e 23-vjeçares nga rënia e kulmit të komunës


Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, kërkoi nga organet kompetente të nisin një hetim dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme në përputhje me ligjin për rastin vajzës 23-vjeçare që u lëndua nga rrëzimi i kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” gjatë ditës për shkak të erërave të forta.

“Menjëherë kam kontaktuar me familjarët e të lënduarës për t’iu qëndruar pranë në këto momente. Lutemi për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë. Si Kryetar i Kryeqytetit kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi”, shkroi ndër të tjera kryetari i kryeqytetit.

Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendren Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, në një prononcim për Albanian Post pasdite njoftoi se gjendja e 23-vjeçares vazhdon të jetë e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Viktima vazhdon të jetë nën kujdes intensiv mjekësor.

Policia e Kosovës njoftoi se ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizuan ngjarjen, ndërsa edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se hetimet për rastin tashmë kanë filluar.

“Në gjendje të rëndë dhe me lëndime të rënda trupore”, thotë drejtori i Emergjencës për 23 vjeçaren që pësoi nga rasti në Komunën e Prishtinës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore