Shqipëria

Rama i nxjerr kartën e OKB-së delegacionit rus dhe i thotë prerazi: Sado të përpiqeni, Kosova është e pavarur


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalës së tij si drejtues i seancës speciale të thirrur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Ukrainën, ndau edhe disa fjalë për pavarësinë e Republikës së Kosovës në këtë panel.

“Në fakt Rusia e të tjerë janë përpjekur ta përdorin, apo më shumë ta keqpërdorin, realitetin për të ndryshuar Ballkanin Perëndimor, sidomos lindjen e Republikës së Kosovës, për të justifikuar ëndrrat e tyre imperiale apo makthet e tyre që kanë eksportuar në Ukrainë”, theksoi fillimisht kreu i Qeverisë.

Ai shtoi se Kosova nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh apo aneksim të paligjshëm.

“Pavarësisht sa përpiqeni, Kosova, pavarësia, e së cilës është sanksionuar nga gjykata ndërkombëtare penale, kreu 14-të i kësaj karte të Kombeve të Bashkuara. Gjykata ndërkombëtare penale nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh apo aneksim të paligjshëm”, vuri në dukje më tej kryeqeveritari.

Sipas tij, nëse paqja që zgjat në rajonin tonë sot është e prekshme, kjo ka përsëri të bëjë me mësimet e nxjerra në mënyrë efikase për të tejkaluar të shkuarën dhe për të formësuar një të ardhme të përbashkët përmes bashkëpunimit, jo përmes përçarjes.

Kjo, duke nxitur lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, e kapitaleve, jo duke rritur pengesa artificiale, barriera artificiale, por duke ndërtuar ura për fëmijët tanë, për të shijuar lirinë dhe begatinë, pavarësisht cila është gjuha e tyre, a raca e tyre, pavarësisht kombësisë së tyre.

“E jo të ngremë mure për fantazmat e së shkuarës. Që të fshihen pas lojërave të pafundme të fajit”, ravijëzoi në përmbyllje kryeministri shqiptar Edi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore