Shqipëria

Rama i kujton SPAK-ut “aferat” më të mëdha të pazgjidhura


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ravijëzoi besimin te drejtësia e re, por deri më tani Prokuroria e Posaçme nuk ka reaguar, për ato që ai i quan “aferat më të mëdha në këtë vend”.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “Report TV”, duke cituar intervistën me kreun e Qeverisë.

“I shumëzoj me zero nëse për Gërdecin, 21 janarin, për grabitjen e hidrocentraleve, për CEZ-DIA, për kontot (llogaritë) e Kryemadhit, nëse SPAK nuk merret me këto ne flasim kot. Kemi një Prokurori që flet për 21 janarin në Prokurorinë e Tiranës dhe bën sikur nuk e kupton. Unë kam shumë besim te drejtësia, por pse s’kemi bërë në kallëzime për drejtor e të tjerë, janë muhabete kot”, deklaroi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pohoi më 29 mars gjatë Samitit të Demokracisë se reforma në drejtësi po i tregon më në fund Shqipërisë se lufta ndaj korrupsionit është “jo vetëm e mundshme por e bëshme”.

Samiti shumëditor i këtij viti u bashkëorganizua nga Presidenti amerikan Joe Biden, si dhe liderët e Kosta Rikës, Holandës, Koresë së Jugut dhe Zambisë.

“Reforma jonë në drejtësi, që është në themel të agjendës sonë të reformave transformuese po i tregon më në fund vendit se, po, të luftosh korrupsionin është jo vetëm e mundshme por e bëshme. Ndaj, falë një reforme të tillë tërësore dhe institucioneve krejt të reja të drejtësisë ajo çfarë ishte historikisht e paimagjinueshme deri pak vite më parë po bëhet praktikisht e mundur: individët e lidhur me pushtetin dënohen dhe ndiqen penalisht”, theksoi fillimisht kreu i Qeverisë.

Sipas tij, Shqipëria vazhdon të punojë drejt një qeverisjeje më të hapur, më reaguese dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve të saj.

Më 3 mars, kryeministri e përshkroi SPAK-un si një institucion të drejtësisë së re, por që po vepron në inercinë e asaj të vjetër.

Kjo, duke përmendur faktin se Prokuroria e Poesaçme nuk e ka pranuar një kërkesë të bërë së fundmi, lidhur me rihetimin e çështjes së 21 janarit, pas daljes së provave të reja në media.

“A ka më ku të rrijë”, bëri thirrje Rama, “që teksa së fundmi, doli edhe një tjetër material, autentik, brutalisht rrëqethës, për vrasjen me paramendim dhe gjakakullsi kriminale, me pushkët e shtetit, të katër qytetarëve të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm për askënd, vrasësit e tyre vazhdojnë jo vetëm të enden të lirë, po luajnë edhe role nga më të rëndësishmet në jetën e vendit?!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore