Shqipëria

Rama i dërgon letër Biden-it, i shpreh mbështetjen pas sulmit në Jordani


Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i ka dërguar një letër zyrtare presidentit amerikan, Joe Biden, ku ka shprehur edhe mbështetjen e pakushtëzuar të Shqipërisë me aleatët amerikanë, pas sulmit që një bazë amerikane në Jordani pësoi dhe ku tre ushtarë amerikanë humbën jetën.

Këtë kryeministri shqiptar e ka shpërndarë në median sociale X, njohur më parë si Twitter, duke bërë publike edhe letrën.

Rama fillimisht shpreh ngushëllimet për atë çfarë ndodhi një bazën amerikane, duke i përmendur edhe personalisht tre emrat e ushtarëve të vrarë nga sulmi.

Po ashtu, kryeministri aty thekson se në këto kohë të vështirë, të gjithë duhet të qëndrojnë të bashkuar.

Ndaj, si aleate, Shqipëria qëndron e vendosur pranë amerikanëve në solidaritetin dhe këmbënguljen kundër këtyre akteve.

Një ditë më parë ndërkaq, ishte ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili nëpërmjet një postimi në media sociale ka shprehur nderimet e tij kushtuar tre ushtarëve të rënë në Jordani, pas një sulmi me dron nga militantë të dyshuar si të mbështetur nga Irani.

Ai ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjet dhe të dashurit e tyre.

Peleshi siguron se Shqipëria qëndron pranë aleatëve të saj, SHBA me pikëllim, solidaritet dhe vendosmëri.

“Së bashku, kujtojmë guximin dhe sakrificën e tyre”.

Tre ushtarët amerikanë të vrarë në sulmin me dron në një postë ushtarake amerikane në Jordani u identifikuan të hënën si Sgt. William Rivers, 46 vjeç, Kennedy Sanders, 24 vjeç, nga Waycross, Georgia; dhe Breonna Moffett, 23 vjeçe, nga Savannah, Georgia.

Droni goditi një objekt strehimi në bazë ku shumë anëtarë të shërbimit ishin në gjumë në orët e hershme të mëngjesit.

Ai iu afrua postës ushtarake amerikane, Kulla 22, afërsisht në të njëjtën kohë që një dron amerikan po kthehej në bazë, gjë që çoi në pasiguri nëse ishte armiqësor dhe shkaktoi një vonesë në përgjigjen e SHBA-ve.

Sulmi i së dielës shënoi një përshkallëzim të rëndësishëm pas rreth 165 sulmeve ndaj forcave të SHBA-ve dhe koalicionit që nga 17 tetori, duke ngritur më tej shqetësimet për një konflikt më të gjerë që shpërtheu në Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha më herët se ndërsa faktet janë ende duke u mbledhur, sulmi u krye nga grupe ushtarake të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri dhe Irak.

Është hera e parë që ushtarë amerikanë vriten në rajon pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Biden shtoi në një deklaratë se “sot, zemra e Amerikës është e rënduar”, duke vijuar të thotë se “sakrifica përfundimtare e ushtarëve nuk do të harrohet kurrë nga kombi amerikan”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore