Shqipëria

Rama: Diferencimi i BE-së ndaj Ballkanit i papranueshëm


“I papranueshëm moralisht, politikisht, logjikisht, diferencimi që BE-ja i bëri Ballkanit, por ia dolëm të mos mbetemi mbrapa askujt”.

Kryeministri Edi Rama, ka mbajtur këtë qëndrim ndaj politikës që Bashkimi Evropian vendosi të ndjekë ndaj Ballkanit Perëndimor, duke mos shpërndarë vaksina në mënyrë direkte përtej anëtarësisë.

Rama shkruan se gjithsesi, “me diplomaci dhe këmbëngulje ia dolëm të mos mbetemi mbrapa dhe nuk do të ndalemi deri në sigurimin e dozës së fundit”. “Fjalët mbrapsht atyre që vazhduan me sharje e akuza”.

Kryeministri ka shtjelluar më tej se kushtet kanë qenë të vështira për shkak të kërkesës së madhe globale. Ndërkohë që sasia e vaksinave, është ende e vogël.

“Kemi dakordësuar në parim marrëveshjen me Pfizer për të nisur vaksinimin në janar!”, përmbyll Rama.

Kryeministri pak javë më parë zhvilloi një udhëtim drejt SHBA-së, për të folur mbi vaksinën. Aty u takua me përfaqësues nga Pfizer-BioNTech. Në mbërritje, Rama bëri me dije se kishte një marrëveshje për dozat e para.

Ndërkohë para pak ditësh, në një takim me mjekët e infektivit, Rama deklaroi se vaksinimi do të fillojë në javët e para të janarit. Mjekët do të jenë të parët që do ta marrin.

Vaksinimi do të kryhet në stadiumin “Air Albania”./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore