Lajme

Rakiç: Grupimi i politikave shqiptare, rrezik për mbrojtjen e interesave serbe


Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiç

“Partitë shqiptare po përpiqen të krijojnë një ‘tërmet politik’, duke u bashkuar në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në komunat ku serbët përbëjnë shumicën, dhe Lista Serbe po përpiqet të parandalojë atë duke bërë thirrje për unitet dhe sjellje të përgjegjshme të popullit serb në Kosovë”, kështu tha kryetari i Listës Serbe Goran Rakiç, raportojnë mediat serbe.

Ai u shpreh se grupimi i politikave shqiptare të cilat, siç thotë ai, janë politikisht jo komplementare, është një rrezik për “mbrojtjen e interesave serbe”.

“Kjo është arsyeja pse ne të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm dhe në detyrë. Të lëmë mënjanë grindjet e vogla, nëse ka, dhe kotësinë, sepse ky nuk është momenti kur mund t’i lejojmë vetes të dorëzohemi dhe të rrezikojmë mbijetesën tonë me papërgjegjshmërinë tonë”, deklaroi Rakiç.

Ndërkaq, i pyetur nëse “pritjet e liderëve shqiptarë për të fituar komunat në veri të Kosmetit janë realiste”, ai tha se rreziku është real, por se “mënyra e vetme për të penguar planin e partive shqiptare” është sjellja e përgjegjshme e të gjithë qytetarëve dhe mbështetja e bashkuar për Listën Serbe.

“Fuqia e serbëve në Kosovë dhe Metohi qëndron në forcën e të gjitha komunave, fshatrave dhe qyteteve tona, dhe natyrisht, Mitrovica veriore e Kosovës ka një peshë dhe rëndësi të veçantë. Mitrovica është kryeqyteti i serbëve në Kosmet. Si dikush që kryesoi qytet për tre mandate”

Rakiç beson se, “populli i Mitrovicës do të dijë t’i rezistojë këtyre presioneve dhe të ruajë forcën dhe unitetin politik në qytet”.

Sipas tij, nuk është sekret që udhëheqësit shqiptarë po përpiqen t’i bëjnë marrëveshjet e Brukselit të pakuptimta, kështu që, ai thekson, se përpjekja për të marrë pushtetin në komunat serbe padyshim që do të jetë një nga presionet.

“Edhe nën presion më të fortë, serbët nuk u dorëzuan, as nuk hoqën dorë nga e ardhmja në këtë fushë. Kjo është arsyeja pse këto zgjedhje, si ato të mëparshme, por edhe ato të ardhshme, janë një provë e vendosmërisë sonë për të qëndruar dhe mbijetuar”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar të enjten (19 gusht) se të gjithë ata përfaqësues të serbëve që do të garojnë në zgjedhjet lokale të Kosovës, të caktuara për 17 tetor dhe që nuk janë pjesë e Listës Serbe, nuk do të kenë mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe të shtetit të Serbisë. Ai ka shprehur mendimin se të gjithë ata që nuk janë me Listën Serbe, nuk do ta marrin besimin e popullit.

Në vitin 2013, me mbështetjen e Beogradit zyrtar, u formua Lista Serbe. Që atëherë, ajo është partia kryesore serbe e Kosovës, e cila në të gjitha zgjedhjet lokale dhe parlamentare, ka fituar rreth 90 për qind të votave të votuesve nga radhët e komunitetit serb.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lista Serbe fitoi të dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë udhëhiqen nga Lista Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore