Lajme

Raketa ruse godet një restorant në Kramatorsk duke vrarë të paktën tetë persona


Një raketë ruse goditi një restorant në qytetin lindor të Ukrainës, Kramatorsk të martën, duke vrarë të paktën tetë persona dhe duke plagosur 56, thanë shërbimet e urgjencës.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia britanike “Reuters”.

Një raketë e dytë goditi një fshat në skajet e Kramatorsk-ut, duke plagosur pesë, por viktimat kryesore ishin në restorant, ku të paktën tre fëmijë ishin midis të vdekurve.

Një raketë ruse goditi gjithashtu një grup ndërtesash në Kremenchuk, rreth 375 kilometra në perëndim në Ukrainën qendrore, saktësisht një vit pas një sulmi në një qendër tregtare atje që vrau të paktën 20 persona. Nuk u raportuan viktima në sulmin e fundit.

Në Kramatorsk, një qytet i shënjestruar shpesh nga sulmet ruse, punonjësit e urgjencës hynë dhe dilnin nga restoranti i shkatërruar ndërsa banorët qëndronin jashtë duke vëzhguar dëmin.

Guvernatori rajonal i Donetsk, Pavlo Kyrylenko i tha televizionit kombëtar se njerëzit dukeshin nën rrënoja.

Gjendja e tyre nuk dihej, tha ai, por “ne kemi përvojë në heqjen e rrënojave”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha në video-mesazhin e tij të natës se sulmet treguan se Rusia “meritonte vetëm një gjë si pasojë e asaj që ka bërë – humbjen dhe një gjyq”.

Kramatorsk është një qytet i madh në perëndim të vijës së frontit në provincën Donetsk dhe një objektiv i mundshëm kyç në çdo avancim rus drejt perëndimit që kërkon të kapë të gjithë rajonin.

Qyteti ka qenë një objektiv i shpeshtë i sulmeve ruse, duke përfshirë një sulm në stacionin hekurudhor të qytetit në prill 2022 që vrau 63 njerëz. Pati të paktën dy sulme në ndërtesa banimi dhe vende të tjera civile në fillim të këtij viti.

Rusia mohon të ketë shënjestruar vende civile në atë që e ka përshkruar si një “operacion special ushtarak” që nga pushtimi në shkurt të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore