Lajme

Qiproja ka ngrirë asetet e shkelësve të sanksioneve britanike dhe amerikane kundër Rusisë


Qiproja ka vendosur sanksione ndaj individëve të emëruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania se kanë ndihmuar oligarkët rusë të anashkalojnë sanksionet e vendosura ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.

Për këtë shkruan agjencia franceze “AFP”.

Komisioneri Financiar i Qipros Pavlos Ioannou i tha transmetuesit shtetëror CyBC se pasuritë e individëve dhe subjekteve juridike në fjalë ishin ngrirë.

“Bankat nuk mund të mos merrnin masat që morën… dhe qeveria gjithashtu veproi me maturi”, tha Ioannou.

E përditshmja qipriote në gjuhën greke Phillefteros raportoi se huadhënësi më i madh i ishullit, Banka e Qipros, gjithashtu “ka njoftuar 4 mijë klientë që kanë pasaporta ruse dhe nuk janë banorë të vendeve të BE-së se llogaritë e tyre do të mbyllen”.

Ishulli në Mesdheun lindor është shtëpia e një diaspore të madhe ruse.

Limassol në bregdetin jugor, i cili shpesh quhet “Moska në Mesdhe”, ka qenë prej kohësh një magnet për shtetasit rusë.

Britania dhe SHBA-të kanë vendosur sanksione ndaj qytetarëve dhe kompanive qipriote se kanë ndihmuar oligarkët rusë të fshehin pasuritë e tyre pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.

Zëdhënësi i qeverisë Constantinos Lethimbiotis tha këtë javë se Nikosia ishte gati të ndiqte penalisht të gjithë qipriotët e akuzuar nga SHBA-të dhe Britania se i ndihmonin oligarkët t’i shmangeshin sanksioneve të vendosura nga lufta.

Sipas tij, presidenti Nicos Christodoulides ka kontaktuar Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe në kërkim të provave kundër personave të përmendur në mënyrë që rastet e tyre të hetohen brenda vendit.

Kreu i Bankës Qendrore të Qipros, Konstantinos Herodotos, i tha presidentit këtë javë se bankat qipriote kishin ngrirë llogaritë e 13 individëve dhe një numri kompanish qipriote.

Ai tha se autoritetet kanë mbyllur 43 mijë kompani guaskë dhe 123 mijë llogari bankare “të dyshimta” në vitet e fundit.

Sipas tij, vetëm 2.2 për qind e të gjitha depozitave bankare në ishull i përkasin aktualisht rusëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore