Lajme

Qeveria të enjten nis fushatën për informim rreth liberalizimit të vizave


Foto: Albanian Post

Qeveria e Kosovës, ka bërë të ditur se të enjten e 5 tetorit do të lansohet fushata për informim të liberalizimit të vizave.

Lajmin e ka bërë të ditur ekzekutivi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Ditën e enjte, Qeveria e Republikës së Kosovës lanson fushatën për informim për liberalizimin e vizave. Aktiviteti i parë do mbahet në Prishtinë për të vijuar më tej në krejt Kosovën”, thuhet në njoftim.

Teksa, është bërë thirrje që qytetarët të bashkohen në këtë ngjarje me qëllim që të informohen për së afërmi mbi lëvizjen e lirë pa viza që do të nisë nga 1 janari.

Më 2 tetor, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, kishte sqaruar se kur qytetarët mund të udhëtojnë pa viza dhe në cilat raste atyre nuk do t’u lejohet të dalin jashtë vendit në rast të parregullsive.

Përmes një komunikate për media thuhej se “poseduesit e pasaportave të Kosovës duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtër”.

Po ashtu, ambasada njoftoi se viza do të mundësohet për qëndrime të shkurtra, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive.

Përfshirë edhe takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.

Vendimi i liberalizimit të vizave për kosovarët do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2014, pasi kjo çështje u lidhë me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.

BE na i hoqi vizat, pas 12 vjetësh

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore