Lajme

“Qeveria ta ulë pak kokën e të këndellet” – grevës në arsim duhet t’i gjindet një zgjidhje


Foto: Albanian Post

Kur ka kaluar një muaj nga fillimi i grevës në arsim – e degë të tjera të administratës publike – dhe qeveria e Këshilli Grevistë i formuar nga sindikatat s’kanë gjetur zgjidhje, këtë të premte në Komisionin për Arsim në Parlamentin e Kosovës u dha një propozim.

Kryetar i këtij komisioni, deputeti i Vetëvendosjes, Ardian Gola, pohoi se mbase Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, do të ishte mirë të gjente një formë të re grevimi, siç është ajo e mos vënies së notave për nxënës, duke e de-formalizuar shkollimin, por që të paktën nxënësit do të merrnin njohurit duke mbajtur mësim.

Por, për njohësin e arsimit, Argjend Osmani, kjo nuk është zgjidhje.

“Sa i përket propozimit që është dëgjuar sot në Komisionin për Arsim për fillimin e mësimit dhe mosnotimin e nxënësve po mendoj që para se të dëgjojmë propozime të tilla që t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që të arrihet një kompromis që të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët”, thotë ai në një prononcim për Albanian Post.

Ai ka edhe një problem me gjithë këtë situatë që ka lënë qindra mijëra nxënës pa ndjekur mësimin gjatë gjithë shtatorit.

Përqeshja dhe ofendimet që u janë bërë mësimdhënësve dhe anëtarëve të Këshillit Grevist në krye me Rrahman Jasharajn, për të janë të patolerueshme.

“Personalisht, nuk e konsideroj që qeveria i ka marrë seriozisht kërkesat e SBASHK-ut, ato kanë qenë të vlerësuara për shumë muaj dhe janë injoruar besa janë përqeshur nga zyrtarët qeveritarë, janë tallur me personalitete që e përfaqësojnë SBASHK-un”.

Gjithashtu, fajtor për të gjithë situatën e lë qeverinë pasi sipas tij është “dehur me pushtetin”.

“Kjo situatë ka qenë e papranueshme, andaj nuk mendoj që duhet të kthehemi mbrapa por Qeveria duhet të jetë ajo që e ulë pak si themi ne ‘kokën’ dhe fillon të këndellet nga ajo dehja me pushtetin dhe këta qeveritar si duket kanë shumë pak përvojë ta kuptojnë që kanë përgjegjësi të mëdha dhe tash duhet të gjejnë zgjidhje për problemet që e kanë futur arsimin”.

Për zgjidhjen e propozuar nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ardian Gola, Albanian Post ka kontaktuar edhe Kryetarin e Administratës së Sindikatës Publike, Ali Gashin por që i njëjtit ka deklaruar se një vendim i tillë nuk është në dorën e tyre.

“Është në dorën e SBASHK-ut, nuk kam ndonjë koment lidhur me këtë. Sa munda të kuptoj zotëri Ymer Ymeri, i premtoi zotëri Golës që do të ulet dhe do të diskutojnë këtë temë”.

Njohësi i fushës së Arsimit, Argjend Osmani.

Takimi që ishte thirrur nga Komisioni Parlamentar për Arsim, ku të pranishëm ishin anëtarë të Këshillit Grevist e ministra të qeverisë, me idenë që të gjendet një zgjidhje e të ndërpritet greva serish ka përfunduar pa zgjidhje.

Në këtë mbledhje vetëm një propozim doli nga kryetari i Komisionit, Ardian Gola që është edhe vetë profesor universitar.

“A do të mund ta bënit për shembull që të filloni mësimin, por të mos i notoni nxënësit. Kështu nxënësit nuk humbin, por edhe ju keni në dorë një mjet të fortë për negocim”, deklaroi Gola.

Takimi i ri, por asgjë e re as nga Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila përsëriti ato që thuhen tash e një muaj se si qeveria ka plotësuar të gjitha kërkesat e grevistëve përveç kësaj për 100 euro shtesë.

Takimi u ndërpre me këtë propozim që vështirë se do merret parasysh, derisa qeveria vazhdon të mos ketë një propozim konkret për grevistët dhe gjithashtu vazhdon të vë në pikëpyetje qëllimet e tyre, me vetë kryeministrin që tha ditë më parë në parlament se grevistët janë të lidhur me opozitën politike.

Nga 1 shtatori e deri këtë të premte, 320 mijë nxënës dhe 23 mijë mësimdhënës kanë humbur 23 ditë mësimi nga 185 ditë të vitit shkollor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore