Lajme

Qeveria pranon kërkesën amerikane, shtynë zbatimin e vendimit për 30 ditë


“Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

Kjo pas kërkesës së Bashkimit Evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që vendimi për dy masat e reja të qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë.

Qeveria e Kosovës pranoi që të shtyhet për 30 ditë implementimi i këtyre dy vendimeve.

“Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin”,  njoftoi Qeveria e Kosovës përmes një shkrese në Facebook.

“Në bashkëpunim me aleatët tanë ndërkombëtar, ne u zotuam të shtyjmë implementimin e vendimeve për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje në pikat kufitare me Serbinë për 30 ditë”, shkroi Kurti.

Kjo, siç tha kryeministri, “me kusht që të hiqen të gjitha barrikadat dhe të rikthehet liria e plotë e lëvizjes”.

Kërkesa për shtyrje njëmuajshe, sipas emisarit sllovak Miroslav Lajçak, u bë nga Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell, ndonëse ambasadori amerikan Jeff Hovbenier ishte ai që e artikuloi në konferencë për media.

Hovenier kërkoi nga Qeveria e Kosovës, që të rishqyrtojë edhe një herë mënyrën e implementimit.

“Qeveria amerikane kërkon të shtyhen këto dy vendime për 30 ditë”.

Ambasada amerikane nuk ka pasur ankesa apo shqetësime për këto vendime, u shpreh ambasadori, por se “kemi pasur një dialog me qeverinë sa i përket implementimit të këtyre vendimeve”.

“Një nga arsyet përse jam sonte këtu është që të kem një bisedë me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrat. Për të dhënë një kërkesë të qartë nga qeveria e SHBA-ve. Ta shtyni implementim e këtyre vendimeve për 30 ditë”.

Siç deklaroi diplomati amerikan, “shtyrja 30 ditore do të jetë e rëndësishme sepse duket se ka jo informim, keqkuptim dhe keqinformim për këto vendime dhe ka ndërlikime të tjera”.

“Shpresojmë të punojmë me këtë qeveri, me kolegët tanë nga BE që të sigurohemi se mund të ofrojmë të kuptuar më të mirë të këtyre vendimeve”.

Ai e ka bërë të qartë se nuk kërkon ndryshim të vendimeve, por thjesht shtyrje të zbatimit.

“Nuk po kërkojmë që këto vendime të rishikohen. Dua të theksoj se gjithashtu jam i shqetësuar se disa individ kanë vendosur t’i kundërshtojnë këto vendime duke vendosur barrikada në rrugë dhe duke e penguar lirinë e lëvizjes”.

“Nuk e inkurajomë këtë veprim dhe nuk e mbështesim. Metoda është përmes dialogut qytetar. E bëmë këtë kërkesë ndaj qeverisë, tash po presim vendimin e tyre”, pohoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore