Lajme

Qeveria ndan mbi 2 milionë euro shtesë për blerjen e barnave esenciale


Ilustim.

Pas raportimit për mungesë masive të ilaçeve të shtrenjta kundër kancerit, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës ka ndarë 2.5 milionë euro shtesë për blerjen e barnave esenciale.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se “qeveria e sheh shqetësuese mungesën e vazhdueshme të barnave, ndërsa në total janë ndarë nga kjo qeveri rreth 30 milionë euro”.

Ilaçi ‘‘Hericeptin’’, i cili përdoret për trajtimin e kancerit të gjirit, ka munguar përsëri në Barnatoren Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Më herët ishte raportuar në gusht të këtij viti se ky ilaç mungonte prej tre javësh, kurse më furnizimin e këtij ilaçi, drejtori i Onkologjisë Ilir Kurtishi kishte thënë se furnizimi i tij është i mjaftueshëm deri në tre mujorin e parë të vitit 2022.

“Hericeptina” apo siç njihet ndryshe me emrin Trastuzumab, është një ilaç për kancer që përdoret në fazat e hershme edhe më të vona të kancerit të gjirit. Po ashtu përdoret edhe për trajtimin e kancerit të stomakut dhe kushton rreth 1 mijë e 500 euro.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria po ashtu ka vendosur që të vazhdoj shtesat prej 10 për qind të pagës për stafin shëndetësor.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe pagesa shtesë neto prej 10 për qind të pagës, por jo më pak se 60 euro për punonjësit shëndetësor të sektorit publik për muajt nëntor dhe dhjetor.

Më 8 nëntor, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, të cilët kërkojnë rregullimin e gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari i vitit 2022.

Kryetari i kësaj federate, Blerim Syla, ka kërkuar nga Qeveria që të jetë transparente dhe bashkëpunuese në përpilimin e draftit të Projektligjit për Pagat në sektorin publik.

Ai njoftoi se vetëm në tetë muajt e parë të këtij viti kanë ikur 122 mjek, mosha mesatare e të cilëve është 31 vjeç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore