Lajme

Qeveria Kurti është shkelës kronik i ligjit dhe Kushtetutës, thotë Gashi


Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ndërsa ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetutës për të shpallur si anti-kushtetues Ligjin për Paga, ka theksuar se Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, është shkelës kronik i ligjit dhe Kushtetutës.

“Prapë e shkelen Kushtetutën. Ky pushtet është i dobët, ndaj është pushtet shkelës kronik i ligjit dhe Kushtetutës”.

Veç një pushtet i dobët, sipas Gashit, e shkel ligjin dhe Kushtetutën pandalshëm.

“Veç të dobëtit vuajnë për ta luajtur të fortin. Veç të dobëtit tentojnë të shkelin çdo gjë; hakun e njerëzve dhe çdo gjë tjetër. Sot, Gjykata Kushtetuese vendosi për Ligjin e Pagave në Sektorin Publik, ku i kërkon Kuvendit që brenda 6 muajsh ta ndryshojë”.

Gjykata Kushtetuese, këtë të marte, ka shpallur si anti-kushtetues Ligjin e Pagave duke aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të ri të Pagave në Sektorin Publik.

Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin e Kosovës që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit të këtij institucioni “të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafit 6 të nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit për Paga, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim”.

Kushtetuesja ka konstatuar se 8 nene të Ligjit për Paga nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kushtetuesja e shpall anti-kushtetues Ligjin e Pagave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore