Lajme

Qeveria kërkoi 12 milionë euro për borxhin e rrymës, partia e Jabllanoviç-it: Tentim për të shkatërruar ekonominë e Veriut


Ilustrim

Partisë së Serbëve të Kosovës që për kryetar ka Aleksandër Jabllanoviç, e ka quajtur tentim për të vjedhur mjetet e Fondit Zhvillimor për Veriun, meqë Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të fundit për këtë vit, ka votuar një kërkesë të Ministrisë së Financave për t’u kërkuar katër komunave në Veri të Kosovës 12 milionë euro për ta paguar një pjesë të borxhit të KOSTT-it si pasojë e devijimit të energjisë në rrjetin evropian të transmisionit ENTSO-E.

Një vendim i tillë, sipas Partisë së Serbëve të Kosovës, është dëshmi “për shkatërrimin ekonomik të Veriut dhe pamundësimin e jetësimit të gjitha projekteve të investimeve kapitale”.

“Mjetet nga Fondi i Zhvillimit nuk mund të përdoren për konsum të vazhdueshëm dhe as për të mbuluar ndonjë borxh. Këto mjete mund të përdoren vetëm për financimin e projekteve infrastrukturore me interes të përgjithshëm për komunat dhe qytetarët”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Pas këtij vendimi, Partia e Serbëve të Kosovës, ka ftuar edhe përfaqësuesit e BE-së në Kosovë si dhe ambasadat e vendeve të QUINT-it që të marrin seriozisht këtë synim, sipas tyre, tinëzarë të Qeverisë së Kosovës duke parandaluar grabitjen e Fondit që ka për qëllim zhvillimin e infrastrukturës në Veri të Kosovës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili bëri këtë propozim, të mërkurën tha se kërkesa po vije me arsyetimin se po rrezikohet likuideti nga ndëshkimet.

“Kemi pranuar para dy ditësh kërkesë për mbështetje financiare nga KOSTT-i për shkak se ndërmarrja ka problem me likuiditet dhe rrezikon nga ndëshkimet, si rezultat i devijimeve të energjisë në rrjetin evropian të transmisionit, devijime që vijnë për shkak të katër komunave në Veri”, tha Murati fillimisht.

“Si Qeveri kemi thënë se energjia duhet të paguhet nga ata që e shpenzojnë dhe pavarësisht devijimeve do të konsiderohet borxh. Marrë parasysh se kjo është shpenzuar nga qytetarët që jetojnë në këto katër komuna, është më se e drejtë që edhe barra për pagesë të këtij borxhi t’u takojë atyre”.

Sipas tij, për këtë devijim Mitrovica e Veriut duhet të ndajë 6.5 milionë euro, Zveçani 1.1 milionë euro, Zubin-Potoku 1.6 milionë euro dhe Leposaviqi 2.6 milionë euro.

Propozimi në fjalë megjithatë u abstenua nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore