Lajme

Qeveria i mashtroi komunat e vërshuara – s’është askund ndihma e premtuar e rimëkëmbjes


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

Pas vërshimeve si pasojë e reshjeve të dendura të shiut natën e 19 janarit të 2023-ës në Kosovë, përveç shtëpive, pasoja jashtëzakonisht të mëdha pësuan edhe ekonomi familjare, bizneset e kultura bujqësore të cilave iu premtua përkrahje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Pas një viti, shuma që u është ndarë këtyre bizneseve të dëmtuara nuk i përafrohet aspak kompensimit të dëmeve.

“Nga vetë vizitat nga kryeministri e ministrat, na është premtuar mbështetje duke thënë se do të ‘qëndrojmë prapa juve dhe do t’u rikthejmë në gjendjen që keni qenë’. Por, ato kanë mbetur vetëm fjalë boshe dhe konkretisht tash nuk ka asgjë në atë drejtim”, thotë Liridon Geci, nga komuna e Skenderajt – i cili pësoi nga këto vërshime dhe dëmet i shkaktuan humbje prej qindra-mijëra eurosh.

Dëmet e shkaktuara nga vërshimet e 19 janarit të 2023-ës në fermën e Liridon Gecit.

Ferma e tij mund të mos kthehet asnjëherë në gjendjen e mëparshme.

Kjo pasi që vlerësimet për dëmet, sipas komisioneve lokale dhe qendrore, Gecit iu shqiptuan në vlerë prej 400 mijë euro, ndërsa u kompensua vetëm 20 mijë euro.

“Qeveria, konkretisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka pasur komisione që kanë punuar gjatë tërë vitit të kaluar për këtë çështje dhe vlerësimi i dëmeve është bërë nga ta”.

Dëmet e shkaktuara në fermën e tij rezultojnë të jenë me humbjen e 12 mijë pulave dhe me dëmtimin e pjesës së inventarit në tërësi dhe pajisjeve të punës.

“Ua kam dëshmuar me fakte vlerat e dëmeve, ato i kanë miratuar të gjitha komisionet të nivelit lokal dhe të nivelit qendror. Pastaj, ajo ka kaluar në një vlerësim, e kanë kthyer sërish në rivlerësim me një komision tjetër edhe në atë komision e kishin pranuar ashtu siç e kishte bërë komisioni lokal prej komunës”, rrëfen Geci për Albanian Post.

 

Dëmet e shkaktuara nga vërshimet e 19 janarit të 2023-ës në fermën e Liridon Gecit.

Ai e ka vlerësuar si qesharake shumën që i është ndarë.

Ndërsa ka paralajmëruar procedura ligjore për ta kundërshtuar procesin e ndarjes së subvencioneve.

“Kanë ndarë vlerën 20 mijë euro, në krahasim me dëmet që janë miratuar me shumë prej 400 mijë euro. Për ne, ai buxhet është shaka, ato shpenzime i kemi pasur vetëm në largimin e pulave të ngordhura edhe pastrimit, e lë më të mendojmë që biznesin ta kthejmë ashtu siç ka qenë më herët”.

“Komunat s’janë të informuara për qytetarët që janë kompensuar pas vërshimeve”

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një bisedë për Albanian Post, deklaron se s’janë të informuar se sa është përqindja e qytetarëve që janë kompensuar pasi që kanë mbetur të dëmtuar nga vërshimet.

“Niveli qendror ka vendosur se sa duhet të kompensohen qytetarët dhe bizneset. Komuna nuk e ka idenë se sa është përqindja e qytetarëve që janë kompensuar pas dëmtimeve nga vërshimet”, deklaron Ibrahimi.

“Si komuna edhe si Asociacion, kemi kërkuar që të ketë një vijë buxhetore për raste të tilla emergjente”, pohon ai për AP.

“Madje, ne kemi kërkuar dhe përsëri kërkojmë që mjetet buxhetore në raste tilla emergjente në nivel lokal t’u barten komunave paraprakisht, që në rast se kemi këso dukuri natyrore, atëherë të intervenojmë menjëherë që t’u ndihmojnë qytetarëve, në bazë të vendimeve që merren nga kuvendet komunale, pasi që janë organet më të larta vendimmarrëse të qytetarëve në vende përkatës”.

Vërshimet në komunën e Skenderajit.

Ibrahimi sqaron hierarkinë se si është bërë vlerësimi i dëmeve, duke i përcjellur më pas ato tek ekzekutivi për miratim.

“Vendimi është i nivelit qendror. Komunat e kanë përgjegjësi vetëm t’i bëjnë ekipet vlerësuese, t’i vlerësojnë dëmet, t’i miratojnë në Kuvend Komunal dhe pastaj ato dëme dërgohen për t’u vlerësuar në nivel qendror”.

Sipas tij, në këtë rast Qeveria e Kosovës, ka krijuar vonesa dhe pengesa të panevojshme.

“Jo të kemi burokraci të tilla, që në fund dëmet të mos kompensohen ashtu siç janë vlerësuar nga kuvendet komunale”.

Ndonëse përgjigje është kërkuar edhe nga institucionet qendrore ato kanë zgjedhur të heshtin.

Albanian Post ka drejtuar pyetje edhe tek ministria e Punës, Transfereve dhe Financave për të marrë një sqarim; përse s’u janë ndarë mjete të mjaftueshme për të mbuluar dëmtimet që u janë shkaktuar komunave.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli mediumi s’ka pranuar përgjigje.

Pas vërshimeve, çka u premtua nga krerët e institucioneve?

Më 20 janar të 2023-ës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se “Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata”, kishte deklaruar kryeministri.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në nëntor të 2023-ës deklaroi se mbi afër 2 mijë familje janë mbështetur pas vërshimeve.

“Pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga ana e komunave dhe komisionit përkatës për vlerësimin dhe verifikimin e dëmeve, tashmë janë procesuar pagesat në kuadër të mbështetjes për rimëkëmbje nga dëmet e vërshimeve në ekonomitë familjare, për vërshimet në 2022 dhe 2023”.

“Sipas vendimit të qeverisë, dhe vlerësimit të komisioneve përkatëse, gjithsej janë mbështetur 1905 familje, ku nga to për vërshimet e shtatorit 2022 janë 620 familje të mbështetura, kurse për vërshimet e janarit 2023 janë 1285 familje të mbështetura”, kishte shkruar ai.

Premtime posaçërisht për bujqitë bëri edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Ai kishte thënë se asnjë dëm i komunave nuk do të anashkalohet nga pushteti.

“Zhvillova takime me kryetarët; atë të Komunës së Klinës Zenun Elezaj, të Komunës së Skenderajit Fadil Nura dhe të Komunës së Istogut Ilir Ferati; të cilët më njoftuan në detaje për situatën sfiduese me të cilën po përballen komunat respektive”.

“Bashkëndjeva me qytetarët e prekur nga vërshimet, fatkeqsisht në Mitrovicë, Çabër, Skenderaj, Klinë dhe Istog; si dhe i sigurova ata se asnjë dëm nuk do anashkalohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, kishte shkruar ai.

Skenderaj, Mitrovica, Klina dhe Istogu ishin komunat që u përmbyten nga vërshimet e që u shkaktuan dëmtime të mëdha në ekonomi familjare, biznese, kultura bujqësore dhe infrastrukturë rrugore.

Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.

Gjatë viteve të kaluara vazhdimisht është raportuar për dëme në shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.

“Një natë e tmerrshme”, me “dëme milionëshe” – Hamza e Nura flasin për natën e vërshimeve në Mitrovicë e Skenderaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore