Lajme

Qeveria i kërkon Osmanit autorizim për nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren


Prizren, vendi ku pritet të ndërtohet rruga që do të lidhë këtë qytet të Kosovës me Tetovën në Maqedoninë e Veriut.

Qeveria e Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti, në mbledhjen e saj të radhës që është mbajtur në mënyrë elektronike, ka kërkuar autorizim nga presidentja Vjosa Osmani, për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja dhënien e autorizimit Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për Ndërtimin e Tunelit në rrugën Tetovë-Prizren ndërmjet Qeverisë së Kosovës, e përfaqësuar nga MMPHI dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve”, thuhet në njoftimin.

Për këtë projekt, bëhet me dije se qeveria ka siguruar buxhetin përmes ligjit në fuqi për ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, kishte njoftuar se në mbledhjen e së martës së 29 nëntorit të vitit të kaluar, qeveria maqedonase e kishte miratuar marrëveshjen për projektimin e rrugës Tetovë – Prizren.

“Dua të ndaj me ju një lajm të bukur, në seancën e sotme të Qeverisë miratuam marrëveshjen për projektimin e rrugës Tetovë – Prizren duke shënuar kështu zyrtarisht fillimin e procedurave për realizimin e këtij projekti madhor që do të jetë një shteg i ri cilësor komunikimi me Republikën e Kosovës”, kishte shkruar Grubi në Facebook.

Tashmë ka filluar procesi për shpronësimin e pronave ku pritet të kalon rruga që do të lidh Prizrenin me Tetovën.

“Sot Qeveria ka marrë vendim për shpronësimin e parcelave që prekin trasenë e projektit të madh të rrugës Prizren-Tetovë.  Më lejoni që t`ju njoftoj që qysh sot do të shpallim njoftimin për kontratë për ndërtimin e kësaj rruge”, kishte njoftuar në tetor të vitit të kaluar Ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu.

Për aksin rrugor Prizren-Tetovë ekziston një marrëveshje midis dy qeverive e nënshkruar fillimisht nga ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe më vonë e vazhduar nga kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski.

Për këtë çështje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë muajit gusht e vizitoi komunën e Tetovës.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore