Lajme

Qeveria gjermane, BE-së: Të krijohen koalicionet ushtarake për krizat


Autoritetet gjermane i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE) të enjten të mundësojë koalicionet e vullnetarëve brenda unionit, për të pozicionuar sa më shpejt një forcë ushtarake në kriza.

Përpjekjet e BE-së, për të krijuar reagim të shpejtë, janë paralizuar për më shumë se një dekadë.

Pavarësisht krijimit të grupeve të betejës, në vitin 2007, 1 mijë e 500 trupa nuk janë përdorur kurrë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi financimin e tyre.

Tërheqja e trupave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Afganistani e ka rikthyer këtë çështje në qendër të vëmendjes.

BE-ja duket se është e paaftë për të evakuuar personelin nga vendet ku po trajnon trupat e huaja, si në Mali.

“Ndonjëherë ka ngjarje që katalizojnë historinë, që sjellin përparim dhe mendoj se Afganistani është një nga këto raste”, ka thënë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në Slloveni, duke shtuar se shpreson për një plan në tetor ose nëntor.

Borrell i kërkoi bllokut të krijojë një “forcë të parë të hyrjes” të vendosur nga 5 mijë trupa, për të zvogëluar varësinë nga SHBA-të. Ai tha se presidenti amerikan, Joe Biden, ishte lideri i tretë radhazi i SHBA-ve që paralajmëroi evropianët, se Amerika po tërhiqej nga ndërhyrjet në oborrin e Evropës.

“Ky është një paralajmërim për evropianët. Ata duhet të reagojnë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre”, tha ai, pasi drejtoi një takim të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Slloveni.

I pyetur për të komentuar mbi thirrjen gjermane, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se “një Evropë më e fortë dhe më e aftë është në interesat tona të përbashkëta”.

Gjithashtu, shtoi se Washington-i mbështet fuqishëm bashkëpunimin e shtuar midis BE-së dhe aleancës ushtarake të NATO-s, të udhëhequr nga SHBA-të.

“NATO dhe BE duhet të krijojnë lidhje më të forta institucionale dhe të shfrytëzojnë aftësitë dhe fuqitë unike të secilit institucion për të shmangur dyfishimin dhe humbjen e mundshme të burimeve të pakta”, tha ai në një prononcim për median.

Propozimi nga Gjermania, një nga fuqitë më të forta ushtarake në BE, por historikisht ngurruese për të dërguar forcat e saj në luftime, do të mbështetet nga një vendim i përbashkët i bllokut, por jo domosdoshmërish të gjithë anëtarët që vendosin forcat e tyre.

“Në BE, koalicionet e vullnetarëve mund të veprojnë pas një vendimi të përbashkët”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, në një postim në Twitter.

Diplomatët e BE-së thonë se duan një marrëveshje përfundimtare mbi projektimin dhe financimin deri në mars. Franca merr presidencën gjashtëmujore të BE-së nga Sllovenia në janar.

Kramp-Karrenbauer tha se pyetja kryesore nuk ishte nëse BE do të krijojë një njësi të re ushtarake dhe diskutimi nuk duhet të ndalet këtu.

“Aftësitë ushtarake në vendet anëtare të BE-së ekzistojnë”, tha ajo. “Pyetja kryesore për të ardhmen e policisë evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes është se si ne i përdorim më në fund aftësitë tona ushtarake së bashku”.

Ministri slloven i Mbrojtjes, Matej Tonin, sugjeroi që një forcë e reagimit të shpejtë mund të përbëjë 5 mijë deri në 20 mijë trupa, por vendosja nuk duhet të varet nga një vendim unanim i 27 shteteve të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore