Lajme

Qeveria e Mali-t: Mbi 100 civilë të vrarë nga sulmet


Mbi 100 civilë janë vrarë në sulmet e rebelëve të armatosur në Mali-n qendror.

Anëtarët e grupit të armatosur Katiba Macina kanë sulmuar të paktën tre fshatra në komunën rurale Bankass, në rajonin qendror Mopti të Mali-t.

Ngjarja ka ndodhur midis së shtunës dhe të dielës, ka bërë me dije qeveria përmes një deklarate.

Sipas saj, janë lënë të vrarë 132 civilë dhe disa nga autorët janë identifikuar.

Sakaq, vrasjet kanë ndodhur në Diallassagou dhe dy fshatra aty pranë, Diaweli dhe Dessagou, në Mali-n qendror, i cili ka qenë prej kohësh në pasiguri.

“Hetuesit janë në vendngjarje për të zbuluar saktësisht se çfarë ka ndodhur”, ka njoftuar Moulaye Guindo, kryebashkiaku i Bankass-it.

Prej muajsh, Mali dhe rajoni qendror i Sahel-it janë përballur me një sërë masakrash civile për të cilat fajësohen grupet e armatosura.

Që nga viti 2012, vendi është tronditur nga pasiguria pasi grupet e lidhura me al-Kaedën dhe ISIS-in kanë sulmuar civilët, duke e zhytur vendin në krizë.

Dhuna që filloi në veri është përhapur që atëherë në qendër, në Burkina Faso dhe Nigerinë fqinje.

Për disa javë, rebelët në Mali-n qendror kanë bllokuar rrugën midis qytetit verior të Gaos dhe Mopti.

Misioni paqeruajtës i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Mali ka nxjerrë një deklaratë në lidhje me sulmet në Twitter, duke thënë se është e shqetësuar nga “sulmet kundër civilëve në rajonin Bandiagara të kryera nga grupet ekstremiste”.

“Këto sulme thuhet se kanë shkaktuar viktima dhe zhvendosje të popullsisë”, ka vijuar deklarata.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore