Lajme

Qeveria e Kosovës me fjongo rozë, Kurti thotë se do të ngrit kapacitetet për luftimin e kancerit të gjirit


Objekti i qeverisë së Kosovës.

Si shenjë për përmbylljen e aktiviteteve për muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, objekti i Qeverisë së Kosovës është mbuluar me një fjongo roze.

Kryeministri Albin Kurti, është shprehur se do të kenë angazhim edhe më tutje në ndërgjegjësimin për parandalimin e kësaj sëmundje.

“Sot në ndërtesën e Qeverisë kemi vendosur një fjongo shumë të gjatë rozë, meqenëse është bërë simbol i luftës kundër kancerit të gjirit. Muaji tetor u shpall kundër luftës së kanceri të gjirit për parandalimin e saj. Shumë gra e vajza janë goditur nga kjo sëmundje e cila shumë lehtë bëhet fatale, andaj ne kemi punuar në ndërgjegjësimin”, deklaroi Kurti.

Ai tutje ka thënë se shpreh mirënjohje për të gjitha ato gra e vajza që u përballen me këtë sëmundje dhe arritën të mbijetojnë.

“Me reformat që do t’i ndërmarrim në shëndetësi do të angazhohemi që të ketë parandalim të kësaj sëmundje, dhe t’i ngritëm kapacitetet mjekësor. Ne krerët institucional nuk do të mund t’ia dilnim pa këto iniciativat nga shoqëria civile, nuk do të kishim as përafërti këto rezultate. Beteja jonë do të vazhdojë”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se në Kosovë nuk ka mungesë të pajisjeve për kontrolla mamografike, e po ashtu ka staf mjekësor dhe profesionist të mjaftueshëm.

“Përmes këtij aksioni simbolik ne shpresojmë përkrahjen ndaj të gjithëve që përballen me këtë sëmundje, u bëjmë thirrje të bëjnë kontrolle të rregullta.

Sipas Jahjagës, “disa vite më herët ka qenë më e vështirë, por tani edhe në QKUK janë të gjitha pajisjet e teknologjisë së fundit, dhe po ashtu stafi është i profesionist. Një skanim nënkupton shpëtimin e jetës”.

Themeluesja e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit, Nafije Latifi, theksoi se edhe pas këtij muaji iniciativat për vetëdijesimin e qytetarëve për kancerin e gjirit do të vazhdojnë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

“Atëherë sot përfundon aktiviteti për shënimin e këtij muajit, mirëpo lufta vazhdon. Unë falënderoj institucionet dhe Fondacionin Jahjaga. Qendrës tonë na mbetët që t’i ndërgjegjësojmë gratë sa më shumë, ndërsa institucioneve ju mbetet realizimi i kushteve sa më të mira”.

“Mund të ju them se një punë shumë të madhe e bëjnë mediat, të cilat e përcjellin mesazhin tonë. Kërkojë nga të gjitha gratë që të bëjnë kontrolle”.

Muaji tetor në gjithë botën shënohet si muaj i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat, në të gjithë botën.

Qytetarët e Prishtinës duke shikuar objektin e Qeverisë pasi u bë me fjongo roze.

Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore