Lajme

Fuqia dhe vullneti për të mbijetuar


Prizren, foto nga arkivi

“Isha diagnostikuar me Carcenome Duktale Invazive. Dyshimet e mia filluan qysh në fazat e para të sëmundjes, por që fatkeqësisht u neglizhova nga dy mjek, të cilët më rekomanduan vizitë pas 6 muajve dhe kështu kur shkova në kontrolla mjekësore kisha arritur në fazën e dytë ose të tretë”, shprehet Fitore Zenelaj për Albanian Post.

Zenelaj, thotë se pavarësisht se sa sfiduese është sëmundja e kancerit nuk e kishte përballuar shumë vështirë.

“Në fakt nuk ka qenë e vështirë për mua, pasi kisha shumë vullnet për jetë dhe nuk u dorëzova për asnjë moment. Kimioterapitë, sigurisht që shkaktojnë dhimbje dhe mundime, mirëpo ne jemi më të fortë se sëmundja dhe me dashurinë për jetën, përkrahjen e familjes dhe mjekëve gjithçka kalon, asgjë nuk është e përjetshme”.

Fitore Zenelaj.

Ajo apelon tek të tjerët që të kujdesen për veten që të mos përballen me këtë lloj sëmundje.

“Një sëmundje e rëndë mund të shërohet, përveç të tjerash, edhe me forcën e të qeshurit; një e qeshur e mirë, nga ato që të shkrijnë, lëviz edhe i bën të dridhen të gjitha organet trupore, njësoj si lëvizjet fizike! Para së gjithash kujdesuni për vetën që të mos vie deri tek sëmundja”.

Në Kosovë 45 për qind më shumë raste me kancer

Drejtori i Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi deklaroi për Albanian Post se sëmundja e kancerit këtë vit ka shënuar rritje.

“Në vitin 2021 deri në shtator janë paraqitur 1 mijë 100 raste të reja edhe në krahasim me vitin e kaluar janë 45 për qind më shumë, trendi është në rritje. Është shqetësim pasi jemi duke u përpjekur që numri të mos kalojë në 1 mijë e 600 këtë vit, e ndoshta mund të arrijë edhe në 1 mijë e 700”.

Kurtishi, thekson se edhe këtë vit dominon kanceri i gjirit tek femrat.

“Dominon kanceri i gjirit tek femrat. Deri tash, janë regjistruar 400 femra të diagnostikuara me kancer të gjirit të të gjitha moshave. Më së shumti në moshën 80 vjeçare. Edhe tek meshkujt, rreth 150 meshkuj me kancer të mushkërive. Në vendin e dytë vjen kanceri i zorrës së trashë dhe kanceri i organeve gjenitale tek femrat e pastaj, është interesant që në rritje është edhe kanceri i pankreasit, lukthit disa forma të kancerit të lëkurës e disa të tjerëve”.

Ai konsideron se rritja e rasteve me kancer këtë vit ka ndodhur shkaku i pandemisë.

“Rritja e rasteve mund të jetë edhe si pasojë që vitin e kaluar nuk janë lajmëruar me kohë shkaku i pandemisë dhe mungesës së shërbimeve. Njerëzit nuk kanë shkuar të bëjnë kontrolla dhe janë frikësuar. Ata që kanë marrë diagnoza ju janë vonuar operacionet, mandej ata janë grumbulluar ose janë shtyrë për këtë vit. Kjo mund të jetë edhe një faktorë që këtë vit kemi numër më të madh”.

Sipas tij, kjo sëmundje përbënë shumë shqetësim, veçanërisht kur është në stadin e avancuar.

“Është shumë shqetësuese sidomos kur gjendet në staza të avancuara në stazën e katërta, pasi tretmani është më problematikë edhe kostoja e trajtimit është shumë e madhe.

“Parandalimi mund të bëhet me zbulimin e hershëm të kancerit me kontrolla të rregullta sistematike të kancerit të gjirit, të kancerit të zorrës së trashë, edhe mund të gjenden këto sëmundje në fazën e parë apo të dytë, mjekimi është shumë më i lehtë, më i efektshëm dhe benefiti është se jetëgjatësia e pacientëve është shumë më e gjatë”, shprehet Kurtishi.

Muaji tetor në gjithë botën shënohet si muaj i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat, në të gjithë botën.

Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore