Lajme

Qendrat mësimore ndihmojnë fëmijët e komunitetit RAE për qasje në arsim


Tryeza e organizuar nga Organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” në partneritet me “Terres des hommes” në Kosovë në kuadër të programit të Arsimit.

Ndikimi i qendrave mësimore në Kosovë ka bërë që fëmijët e komuniteteve romë, ashkalinj e egjiptian të kenë qasje më të mirë në procesin mësimor. Por, sfidë për këto qendra mbetet aspekti buxhetor për qëndrueshmëri dhe funksionalizimin e tyre.

Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut në Qeverinë e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka thënë se Qeveria ka qëllim që të gjithë qytetarët e Kosovës të ndihen të barabartë.

“Si Qeveri e Kosovës i japim një rëndësi të madhe që qytetarët e Kosovës të ndihen të barabartë, duke respektuar të drejtat themelore njerëzore dhe duke respektuar kulturën, traditën”, ka thënë Rexhepi.

Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut në Qeverinë e Kosovës, Emilija Rexhepi

“Jam këtu që të jap përkrahje sa i përket pozitës tuaj si komunitete në shtetin tonë që të përbashkët t’ia dalim në specifikat tona sidomos komuniteti romë që gjuhën në të cilën flet nuk kanë sistem e arsimit të cilët janë shumë të rëndësishëm këto qendra për ruajtjen e gjuhës rome si gjuhë amtare”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Dukagjin Pupovci, ka thënë se MASHT për këtë vit “ka ndarë një fond prej 200 mijë eurosh për OQJ që mbështesin qendrat mësimore që synim kanë që fëmijët e komuniteteve të mos ngecin në mësim-nxënie”.

Ndërsa, Drejtori ekzekutiv i Organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, Isak Skenderi, ka theksuar se sipas hulumtimeve tregohet se qendrat mësimore kanë pasur ndikim të rëndësishëm në qasjen e fëmijëve të komuniteteve të margjinalizuara në arsim.

“Qendrat mësimore kanë treguar se ndikim shumë të rëndësishëm në qasjes në arsim të fëmijëve veçanërisht nga komunitetet e cenuara dhe margjinalizuara si janë romë, ashkalinj dhe egjiptian por edhe komuniteteve dhe fëmijëve nga komunitetet tjera që kanë problem me shkollim apo mësim-nxënie”, tha ai.

Kështu është thënë në tryezën e organizuar nga Organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” në partneritet me “Terres des hommes” në Kosovë në kuadër të programit të Arsimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore