Lajme

Qëllohet me tullë ambasada japoneze në Kinë pas “ngacmimeve” për Fukushima-n


Autoritetet japoneze deklaruan të martën e 29 gushtit se ngacmimet me të cilat po përballeshin në Kinë pas lëshimit të ujit nga centrali bërthamor i Fukushima-s ishin “jashtëzakonisht për të ardhur keq”.

Sakaq, ata konfirmuan se një tullë u hodh në ambasadën japoneze në Pekin, raporton agjencia franceze “AFP”.

Javën e kaluar, Kina ndaloi të gjitha importet e ushqimeve të detit nga fqinji i saj.

Kjo, pasi Japonia filloi të lëshojë ujërat e zeza të trajtuara nga impianti i gjymtuar në një operacion që Tokio dhe mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara kanë thënë se është i sigurt.

Që atëherë, Japonia u ka kërkuar qytetarëve të saj në Kinë që të mbajnë një profil të ulët dhe ka rritur sigurinë rreth shkollave dhe misioneve diplomatike.

Ministri i Jashtëm i Japonisë konfirmoi të martën raportimet e mediave se një tullë u hodh në ambasadën e saj në Pekin dhe i bëri jehonë thirrjeve të kryeministrit Fumio Kishida të hënën drejtuar Kinës për të ndërmarrë veprime për të qetësuar situatën.

“Është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe shqetësuese”, u tha Yoshimasa Hayashi gazetarëve në Tokio.

“Ne dëshirojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë kineze përsëri që të marrë masat e duhura menjëherë, si për shembull t’u bëjë thirrje qytetarëve të saj të veprojnë me qetësi për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe të marrin të gjitha masat e mundshme për të garantuar sigurinë e banorëve japonezë dhe të misioneve tona diplomatike në Kinë”, tha ai.

Ai shtoi se Kina duhet të “sigurojë informacion të saktë” në lidhje me çlirimin e ujit në Fukushima “në vend që të ngrejë në mënyrë të panevojshme shqetësimet e njerëzve duke ofruar informacion pa ndonjë bazë shkencore”.

Të dielën, Ministria e Jashtme e Japonisë u bëri thirrje qytetarëve të saj në Kinë që të jenë “të kujdesshëm me fjalorin dhe sjelljen tuaj. Mos flisni japonisht pa nevojë ose me zë të lartë”.

Një sërë biznesesh në Japoni, nga furrat e bukës deri te një akuarium, thuhet se i janë nënshtruar mijëra telefonatave të turpshme që kanë përfshirë gjuhë fyese dhe raciste.

Përdoruesit e rrjeteve sociale në Kinë kanë postuar regjistrime dhe video të thirrjeve, disa prej të cilave kanë tërhequr dhjetëra mijëra pëlqime.

Japonia filloi lëshimin e më shumë se 500 pishinave olimpike të ujërave të zeza të holluara nga Fukushima në Paqësor të enjten, 12 vjet pasi një tsunami rrëzoi tre reaktorë në një nga aksidentet atomike më të rënda në botë.

Të gjithë elementët radioaktivë janë filtruar me përjashtim të tritiumit, nivelet e të cilit janë brenda kufijve të sigurt dhe nën atë të lëshuar nga stacionet e energjisë bërthamore në funksionimin e tyre normal – përfshirë në Kinë, thotë operatori i centralit TEPCO.

Rezultatet e provës nga mostrat e ujit të detit dhe peshkut pranë uzinës që nga fillimi i shkarkimit – që do të duhen dekada për t’u përfunduar – e kanë konfirmuar këtë, sipas autoriteteve japoneze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore