Lajme

PZAP i kërkon KQZ-së të rinumërojë 134 vendvotime


Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të rinumërohen 134 vendvotime.

“Rezultati që del nga rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të përfshihet në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e tyre.

Por, Paneli nuk ka treguar se cilat vendvotime do rinumërohen dhe nuk ka thënë nëse votat që do rinumërohen janë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

PZAP-ja dje ka aprovuar ankesën e Florentina Gjergjajt të AAK-së, që të rinumërohen fletëvotimet me kusht në të gjitha Komunat e Kosovës dhe të gjitha fletëvotimet nga diaspora, sa i përket kandidatëve të AAK-së. Gjergjaj kishte akuzuar publikisht bashkëpartiaken Meliza Haradinaj-Stublla se ia kishte vjedhur votat, derisa kjo e fundit kishte paralajmëruar se do ta padiste Gjergjajn.

Ndërkohë, Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë dorëheqje nga AAK-ja, dhe nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme.

Këtë e ka bërë të ditur ajo përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook.

“Edhe pse në rrethana ende të pasqaruara, e ndodhur në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linçimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit ndaj meje dhe familjes sime, e konsideroj obligim moral dhe gjënë më të drejtë, dorëheqjen e menjëhershme nga pozita e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia”, ka shkruar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore