Lajme

PZAP e refuzon përsëri ankesën e Bekim Jasharit – s’ka rinumërim të vendvotimeve


Bekim Jashari

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa ka refuzuar ankesat e kandidatit për kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari për pretendimet e parregullsive gjatë procesit zgjedhor të 17 tetorit.

Në vendimin e PZAP-së thuhet  se “Refuzohet si e pabazuar pjesa e apelit A.nr.724/2021 e datës 29.10.2021, e parashtruar nga Lista e Pavarur-Bekim Jashari me seli në Skenderaj, me të cilën ka kërkuar që të hapen kutitë e votimit dhe të rinumërohen vendvotimet 2122b/01D dhe 2101 X/01R, si shkak i parregullsive gjatë procesit të votimit, për zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës të mbajtura me datën 17.10.2021”.

Jashari, që synonte edhe për një mandat ta udhëhiqte komunën e Skenderajt kishte parashtruar ankesën e tij PZAP-së me 29 tetor të këtij viti duke kërkuar që të hapen kutitë e votimit dhe të rinumërohen votat në disa vendvotime.

Pasi këtij të fundit Gjykata Supreme e Kosovës me 25 tetor të po këtij viti kishte hedhur poshtë si të pabazuara ankesat e tij për blerje të votave nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Me 21 tetor PZAP gjithashtu kishte refuzuar shumicën e ankesave të Bekim Jasharit duke i miratuar pjesërisht disa ankesa.

Në vendimin e 21 tetorit ishte refuzuar kërkesa e Jasharit që në komunën e Skenderajt të ketë rivotim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore