Lajme

Putini ulet në tryezë me Zelenskyn, me kusht dokumentin e marrëveshjes


Ulja në tryezë mes Vladimir Putinit dhe Volodymyr Zelenskyt, varet thelbësisht nga një gjë e vetme: Dokumenti i marrëveshjes.

Të paktën kështu pretendon Kremlini, ku nëpërmjet një deklarate të lëshuar për shtyp, bëhet me dije se një takim mes dy presidentëve të vendeve që ndodhen në konflikt pas agresionit rus me fillim në 24 shkurt, nuk është përjashtuar kurrë.

Të martën, vetë Putini, pati deklaruar se bisedimet ishin në një “rrugicë qorre” pasi mohoi kategorikisht edhe masakrën në Bucha, duke pretenduar se ajo është e stisur nga pala ukrainase.

Mirëpo, nga Presidenca ruse, rrugët nuk duken aq të mbyllura.

Fakti se një marrëveshje konkrete në formë dokumenti është parakusht për takimin mes Putinit dhe Zelenskyt, nuk do të thotë gjithsesi se midis palëve ka progres të konsiderueshëm në bisedime.

Më së shumti, ajo është një parantezë mbi atë çfarë kërkohet nga Moska, për të bërë kreun e shtetit të zbresë në fushë vetë.

Të njëjtën gjë e ka ravijëzuar edhe zëdhënësi për shtyp i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili u ka thënë gazetarëve se “disa kushte duhen plotësuar për të shkuar deri tek shtrëngimi i duarve mes dy liderëve”.

Nga Kievi, nuk ka ndonjë koment specifik sa i përket çështjes. Megjithatë, vetë Zelensky, e ka shprehur shumë herë më parë se do të donte të takohej me Putinin për të biseduar.

Madje, ai i ka bërë shpesh thirrje nëpërmjet videomesazheve, që bisedimet të zhvillohen drejtpërdrejt mes të dyve.

Gjithsesi, ulja në tryezë e tyre është ende e largët. Rolin më të qëndrueshëm të ndërmjetësimit, e ka marrë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, por prej javësh, një takim konkret mes palëve nuk ka ndodhur.

Vetë masakra në Bucha, ka shkaktuar zemëratën e madhe të palës ukrainase dhe më pas edhe një indinjatë ruse mbi çështjen.

Ndaj, bisedimet janë në ngërç…për momentin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore