Shqipëria

Pushtuesit e vjeshtës në Kolonjë


Vjeshtë nga piktori kolonjar, Albert Pina

Kërcitja e hapave të tyre mbi gjethet e arta u përhap gjithandej.

Në atë qytet të paqtë, ku prej ajrit të freskët e të qashtër veç me një marrje fryme të duket sikur kafazi i kraharorit të del nga trupi, kishin mbërritur ata, kolonizatorët piktorë.

Të armatosur gjer në dhëmbë me “armët” e tyre, i dëgjoje teksa bisedonin mes vete.

Disa e kishin për të dytën herë, pjesa tjetër do të përballej me të panjohurën e “artë” të qytetit juglindor, Ersekës.

“Kolonja, në aspektin pamor, nga këndvështrimi artistik ka një shtrirje të bukur gjeografike, e rrethuar me fshatra dhe bjeshkët mahnitëse, me ngjyra të bukura vjeshtore”, thotë për Albanian Post skulptori nga Kosova, Sabri Behramaj.

Një nga ‘kolonistët-piktorë’ në Kolonjë
“Pushtuesit e artit”

“Ne gjurmojmë pikat më pikante të qyteteve, në periudha të ndryshme të vitit. Ne jemi si ata pushtuesit”, shprehet piktori Çaush Vathi nga Kavaja, pjesëmarrës në edicionin e dytë të “Kolonisë së arteve” në qytetin e Ersekës.

E, kështu, ata ulën këmbalecët gjithandej.

Fshati i Borovës, nga piktori Caush Vathi

45 “kolonizues” nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut vendosën telajot e tyre mbi statikun e drunjtë, duke u ngulur përgjatë katër ditëve, për të panoramizuar Kolonjën në stinën më të bukur, vjeshtën.

Kolonitë e piktorëve zgjedhin natyrën, sepse e këtillë është tradita, “të ndihemi të lirë, në atë flladin e erës, apo në rrezen e ngrohtë të diellit”, ravijëzon i emocionuar piktori i mirënjohur nga Kavaja.

“Kolonitë e piktorëve”, shpjegon ai, “bëhen në të gjithë botën dhe kjo kulturë ka ardhur nga piktorët e famshëm rusë, francezë dhe italianë. Ato organizohen kudo në botë, pasi janë shumë efektive dhe të dobishme për piktorët dhe artdashësit”.

Ndërsa skulptori zbulon se “përveç peizazhit në Kolonjë pashë diç nga historia e vendit përmes skulpturave dhe arkitekturës, si dëshmi që tregojnë kohën nëpër të cilën ka kaluar ai vend”.

“Arti, promotor i zhvillimit”

Në Shqipëri janë të shumtë piktorët e peizazhit, që kanë lëvruar vetëm këtë gjini.

“Kolonia ka pozitive frymën e grupit. Kjo nxit të gjithë të kenë një krijimtari më të gjerë e të larmishme. Qëllimi ishte që të promovohet sa më shumë Kolonja nëpërmjet artit dhe artistëve, duke hedhur në telajo peizazhe, apo atraksione të zonës, si monumente kulture apo vende historike”.

Në një atraksion historik u ndal edhe piktori Çaushi, së bashku me një koleg.

Fshati Barmash, nga piktori Çaush Vathi

“Ne zgjodhëm dy fshatra historikë, Barmashin dhe Borovën”, zbulon ai. “Dikush tjetër zgjodhi të pikturonte një Urë të Vjetër që të çonte në mulli, ose të pikturonte brenda qytetit”.

Pikturë

Shtëpitë e gurta me porta karakteristike të fshatit Rehovë, rrëze Malit të Gramozit, nuk munguan në zgjedhjen e artistëve.

“Mali i Gramozit është shumë fantastik”, u shpreh piktori kolonjar Pina, “të frymëzon në çdo stinë”.

“Frymëzuese edhe tradita”

Skulptori nga Kosova, Behramaj, rrëfen për Albanian Post se ngacmuese për të krijuar vepra arti, përveç peizazhit, janë “kultura dhe tradita, veshjet tradicionale bashkë me muzikën dhe vallet si pjesë e rëndësishme që i bëjnë njerëzit të ndihen të lumtur dhe të bashkuar”.

Në hulumtimin e tij, ai gjeti diç shumë interesante te një njeri vendas, i cili i përfaqëson të gjitha, Xhemal Dalipi – këngëtar i mirënjohur i këngës dhe muzikës popullore kolonjare.

Këngëtari kolonjar Xhemal Dalipi, në versionin “pak ma modern”, pikturuar nga skulptori kosovar, Sabri Behramaj

“Unë bëra pikturën me dedikim, prandaj mendoj se simpoziume të tilla kanë rëndësinë e vet sepse krijojnë miqësi, ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe njëkohësisht krijohen vepra arti ku secili artist tregon diçka apo pyet diçka përmes veprës së vetë”.

“Ballkani zbarkon në Kolonjë”

“Pjesëmarrës në aktivitet ishin edhe piktorë nga Kosova: Zymer Mulliqi nga Peja, Shkurta Gashi nga Prishtina, si dhe Sabri Behramaj prej Mitrovicës”.

Një ndër emrat më të njohur të artit, pjesë e kolonistëve, ishte edhe skulptori kosovar me famë botërore, Artisti i Madh, Veli Blakcori.

“U ndjeva i nderuar me prezencën e karikaturistit me famë botërore, Blakcori, piktor i famshëm”, tha piktori Çaushi.

“Vjeshtë, diell, piktura, është Kolonjë!”

Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, deklaroi se “pata nderin të pres më tepër se 40 piktorë në Kolonjë. Fundjava u zbukurua me piktura të hedhura në telajo nga vende fantastike”.

Ndërsa përgjegjësja e Turizmit në Kolonjë, Anila Çuçllari, thotë se “pa bashkëpunimin mes Institutit të Librit dhe të Promocionit, udhëhequr nga Fatmir Toçi, me iniciativën e kryetarit të Bashkisë, ‘Vjeshta e artë’ nuk do të ishte e mundur”.

Ndër të tjera, ajo thotë se mikpritës, përveç organizatorëve, ishin edhe katër piktorë të zonës: Albert Pina, i cili ka qenë pjesëmarrës me dhjetëra herë me koloni të ndryshme, si dhe Robert Çaushi, Ana Dine Komini dhe Erion Kana.

“Dita e ekspozimit”
Dita e 4-t në Kolonjë, çelja e ekspozitës së “Kolonistëve të artit”

Më 4 nëntor, për të finalizuar me çeljen e ekspozitës, pati rreth 70-80 piktura në sheshin “Rilindja”, ku artdashës dhe banorë të zonës iu dha mundësia të shijonin artin e mjeshtërve të peizazhit.

Megjithatë “infrastruktura e promovimit të pikturave të kolonistëve janë galeritë”, përmbyll Çaushi.

“E veçanta nga pikturat e kolonizatorëve, është se 15 prej krijimeve do t’u shtohen edhe 10 pikturave të Kolonisë së parë, duke krijuar kështu dalëngadalë fondin për një galeri me piktura të teknikave të ndryshme, por me tematikë Kolonjën”, ravijëzoi përgjegjësja e Turizmit.

Pikturat e para dhe të dytat janë vendosur te Muzeu i qytetit, si për t’i pasur në ruajtje deri në momentin që do të vendoset ku do të ekspozohen.

“Pas kësaj kolonie u hodh ideja nga kryetari i bashkisë që në pranverë të kemi Pranverë në Leskovik. Të shpresojmë të realizohet…”, përmbylli Çuçllari, ndërsa artisti Behramaj tha se destinacioni i radhës ku do të nguliten kolonistët e artit është Kruja më 23-27 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore