Lajme

Pushtimi rus i Ukrainës ka ngecur në gjithë frontet, sipas Britanisë


Sipas inteligjencës britanike dhe shërbimeve të posaçme, ofensiva ruse në Ukrainë ka ngecur në të gjithë frontet e mundshme.

Në një deklaratë shtypi prej Ministrisë së Mbrojtjes britanike, u dhanë detaje të reja lidhur me këtë fakt. Sipas raportimeve, forcat ruse kanë bërë shumë pak progres. Kjo, sa i përket të gjitha fronteve, qoftë tokësore, detare apo ajrore.

Po ashtu, mendohet se ato po pësojnë humbje të shumta në njerëz dhe pajisje, për shkak të rezistencën ukrainase.

“Qëndresa e Ukrainës mbetet e mirëkoordinuar. Pjesa më e madhe e territorit ukrainas, përfshi edhe gjithë qytetet e mëdha, mbeten në duart e Qeverisë ukrainase”, sipas raportit.

Shifrat për humbjet ushtarake ndërkohë mbeten ende të paqarta.

Sipas Kievit, mbi 12 mijë ushtarë rusë janë vrarë gjatë agresionit deri tani. Nga ana tjetër, Moska pretendon se vetëm 500 syresh, kanë gjetur vdekjen gjatë agresionit.

Nga ana e ndërkombëtarëve, shifrat më të besueshme janë ato amerikane, ku bëhet fjalë për rreth 7 mijë trupa ushtarake ruse të humbura deri në këtë çast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore